Lumenjtë e Shqipërisë në rrezik


E martë, 28 Korrik 2015

lumenjt

Qeveria shqiptare ka dhënë lejen për ndërtimin e rreth 500 hidrocentraleve në lumenj të ndryshëm nga veriu në jug; disa prej tyre kanë nisur të ndërtohen e disa të tjerë kanë mbetur pezull.

Por pavarësisht impaktit që do të sillnin këto HEC-e në përmirësimin e sektorit energjetik, duket se në këtë drejtim është lënë pas dore impakti në mjedis, dëmet që kanë nisur të shkaktojnë këto hidrocentrale në lumenj, tharjen e ujit, bimësinë e shkatërrimin e gjithë natyrës. Madje pasojat do të ndihen edhe në turizëm ku në shumë lumenj si në Valbonë apo në Vjosë, natyra do të tjetërsohej pak nga pak.
Nisur nga kjo situatë ambientalistët kanë vënë alarmin dhe i bëjnë thirrje qeverisë që të zbatojë një moratorium 3 vjeçar për ndalimin e hidrocentraleve të reja. Kjo periudhë kohe do të shërbente për të parë rregullsinë e dhënies së këtyre dhjetëra licencave dhe anulimin disa prej tyre, aty ku natyra dëmtohet së tepërmi, sidomos kur bëhet fjalë për zona të mbrojtura e me karakter turistik.
Emirjeta Dhami, nga Instituti i Mbrojtjes së Natyrës në Shqipëri, thotë se të gjithë lumenjtë në Shqipëri janë të rrezikuar, nga 499 hidrocentralet që po planifikohet të ndërtohen mbi ujërat e lumenjve tanë.
Më tej, Dhami thotë se shoqatat e mbrojtjes së natyrës kërkojnë njëzëri zbatimin e një moratoriumi nga qeveria për të ndërprerë dhënien e licencave dhe anulimin e një pjese të tyre.

Të fundit