Malisheva refuzon ta dorëzojë altarin nga viti 250 pas Krishtit


E diel, 21 Shtator 2014

altar

Ekipi i Institutit Arkeologjik të Kosovës të enjten është kthyer duarthatë nga Malisheva. I udhëhequr nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të IAK-ut, Enver Rexha, ekipi është nisur që ta marrë altarin 1.764 vjet të vjetër, por Komuna ka refuzuar t’ua dorëzojë atë.

Në këmbim të altarit vetë i pari i Komunës së Malishevës, kryetari Ragip Begaj, ka vënë kushte. Por zyrtarët e IAK-ut thonë se e kanë ndërmend t’u përmbahen ligjeve në fuqi dhe statutit mbi të cilin është themeluar institucioni ku punojnë. Altari i është kushtuar hyjneshës se drejtësisë e hakmarrjes Nemesis. U zbulua muajin e kaluar në fshatin Banjë të kësaj komune, kur po punohej në hapjen e një kanali. Prejse u zbulua, zuri vend në Muzeun e Malishevës.

“Me ligj ky artefakt i takon shtetit të Kosovës dhe Institutit Arkeologjik”,, ka thënë Rexha.

Pas një studimi disaditor që i kishin bërë altarit arkeologët Haxhi Mehmetaj e Elvis Shala, kishin ardhur në përfundim se bëhet fjalë për një altar që është gravuar në vitin 250 pas lindjes së Krishtit. Mbishkrimi “NEMESIRE” për arkeologët dëshmon se altari i është kushtuar hyjneshës Nemesis, nga dedikuesi M. Ulpius Saturninus (Ulp Saturnini).

“Altari i Banjës së Malishevës është i katërti me radhë në territorin e Kosovës. Gjetja e tij dëshmon shtrirjen e kultit të hyjneshës Nemesis edhe në trevën e Drenicës”, kishin konstatuar arkeologët.

Të fundit