Maqedonasit për emrin, shqiptarët për integrimet


E enjte, 16 Janar 2014

Shkup, 16 janar- Më shumë se 62% e qytetarëve maqedonas janë kundër ndërrimit të emrit, ndërsa në të njëjtën kohë dhe 66% e qytetarëve, pavarësisht përkatësive etnike apo partiake, përkrahin referendum për marrëveshje për emrin.

Këto janë rezultatet nga anketa për pikëpamjet publike të Qendrës Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtarë (QMBN) dhe Institutit për demokraci në temë: “Mosmarrëveshja për emrin Maqedoni”. “Maqedonasit dhe shqiptarët, krahason kjo anketë, largohen në pikëpamje të asaj çka është prioritet.

Largimi është më i dukshëm në qëndrimet për “ruajtjen e emrit” përkundër “integrimeve euroatlantike”, të cilat kanë rëndësi për të gjithë, por gjatë zgjedhjes prej këtyre dy prioriteteve 64.9% nga etniteti maqedonas kanë zgjedhur ruajtjen emrit, ndërsa 68% të etnitetit shqiptarë kanë zgjedhur integrimet euroatlantike”, tregojnë rezultatet nga anketa që u zhvillua pre 15 nëntorit deri më 1 dhjetor vitin e kaluar në 1000 persona të anketuar.

Rreziqet nëse Maqedonia e mban emrin, sipas hulumtimit, janë në atë që do të përkeqësoheshin marrëdhëniet ndëretnike dhe do të kishte ngecje ekonomike, ndërsa ekziston dhe frika se do të thellohet hendeku mes “patriotëve” dhe “tradhtarëve” si dhe Greqia do të kishte kërkesa të reja.

Këto rezultate sot ishin të prezantuar në tribunën publike, në të cilën morën pjesë intelektualë, politikanë, analistë dhe gazetarë. Në pyetjen nëse për momentin qeveria do të ketë propozim që do ta vendoste në referendum emrin, ministri për punë të jashtme Nikolla Popovski nuk dha përgjigje direkte.

Ai u ankua se të gjitha propozimet jashtë kornizës ligjore kanë qenë që të kthehet procesi një hap mbrapa. Sipas tij, grekët kanë qenë turistët më të mëdhenj në Maqedoni në nëntor vitin e kaluar, prej ku ka konstatuar se ka tema që i afrojnë të dy vendet, mes të cilave edhe korridori 10 dhe projektet energjetike./zhurnal

Të fundit