E mërkurë, 10 Maj 2017
Shkup – Policia e Maqedonisë ka arrestuar mëngjesin e sotëm personin me inicialet K.Gj (39) nga Shkupi dhe babanë e tij C.Gj. (68) lidhur me akuzën se në trazirat e Kuvendit të cilat ndodhën më 27 prill kanë sulmuar fizikisht deputetin Zijadin Sela, transmeton Anadolu Agency.
Në një njoftim të Ministrisë së Punëve të Brendëshme (MPB) thuhet se MPB-ja ka parashtruar kallëzim penal kundër personit I.K. (37), gjithashtu nga Shkupi i cili ngarkohet për sulm ndaj kryetarit të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM), njëherësh deputet Zoran Zaev.
Siç njofton policia, mëngjesin e sotëm rreth orës gjashtë, është kryer një bastisje në shtëpinë e personit K.Gj. ku janë gjetur dhe konfiskuar atlete me gjurmë të ngjashme me të gjakut, veshmbathje dhe tre telefona celularë.
Është konfirmuar se në sallën parlamentare 3, ku është mbajtur konferenca për mediat, personi C.Gj. fillimisht ka hedhur një karrige ndërsa K.Gj. ka hedhur me gjësende të ndryshme në drejtim të deputetëve, pas çka dy të apostrofuarit kanë sulmuar fizikisht dhe kanë tërhequr zvarrë Zijadin Selën.
Sipas policisë, I.K. është thirrur dje pasdite rreth orës 12:30 në bisedë informative për shkak se ekziston dyshimi për kryerjen e veprës “pjesëmarrja në turmë e cila pengon zyrtarin në kryerjen e detyrës zyrtare”.
Në bisedë ai tha se sapo hyri në sallën ku u mbajt konferenca për media, me përdorimin e forcës fizike ka sulmuar Zaevin dhe se hodhi një karrige mbi punonjësit e sigurisë. Pas marrjes në pyetje I.K. është lënë i lirë. MPB tha se po punon në zbulimin e identitetit të personave të përfshirë në trazirat e 27 prillit në Kuvend.
Etiketa: shkup, Ziadin Sela