Maradona ironik: Gjermani-Brazil, duhej të mbyllej pas setit të parë!


E enjte, 10 Korrik 2014

Humbja e turpshme e Brazilit me Gjermaninë ka provokuar reagime nga më të ndryshmet, buzëqeshje ironike, të qara me breshëri, inat madje dhe heshtje dyshuese. Diego Armando Maradona bën pjesë në kategorinë e parë.

“Ndeshja do të pezullohej kur rezultati arriti 6-0, pasi kishte përfunduar seti i parë”, është shprehur argjentinasi me ironi, duke iu referuar llogaritjes së pikëve në tenis. “Gjermanët jo vetëm që i mundën, po i shtypën brazilianët në plot kuptimin e fjalës. Ajo që më ka bërë më shumë përshtypje ka qenë intervista pas ndeshjes e portierit brazilian, Julio Cesar përballë televizioneve dhe gjithë brazilianëve për t’iu shpjeguar atyre shkaqet e humbjes. Ju bënë 7 gola, si mund ta shpjegoni këtë gjë?”, ka vazhduar argjentinasi. Ai nuk ka kursyer dhe lëvdatat në lidhje me gjermanët: “Luajnë mirë, nuk gabojnë as edhe një pas,…Brazili pa Neymar, nuk ka lojë. Gjermania është e frikshme”, ka shtuar Maradona.

Ndërkohë, Jose Murinho bën pjesë në grupin e atyre që kanë ndjerë keqardhje lidhur me disfatën e Brazilit. “Më vjen vërtet keq për brazilianët, ky është një moment historik, që të gjithë do e kujtojnë edhe pas 50 vjetësh”, ka thënë ai për Yahoo Sport. “Është diçka që ndodh në sport, edhe pse është e vështirë për t’u shpjeguar. Problemi, sipas meje, ka qenë shpirti i lojës që Brazili ka krijuar në Selesao. Me siguri kanë menduar që kjo do të ishte e mjaftueshme, do të ishte cilësia kryesore që do t’u jepte fitoren, por nuk ishte kështu. Loja e tyre ka qenë e mjaftueshme për të arritur deri në gjysmëfinale, pastaj u ndeshën me një skuadër më të fortë. Gjermanët treguan stabilitet dhe siguri, shfrytëzuan brishtësinë në mbrojtje të Brazilit”. Ai nuk ka ngelur pa shprehur dhe admirimin e tij lidhur me lojën e Miroslav Klose, i cili edhe pse në moshën 36-vjeçare po zhvillon një kampionat botëror, madje duke thyer dhe rekordin e golashënuesit më të mirë në histori me 16 gola./rtk/

Etiketa:
Të fundit