E martë, 25 Gusht 2015
Sulmuesi italian i Liverpulit, Mario Balotelli, është huazuar tek AC Milan për një vit, nga ku u largua në 2014-n për t’u bashkuar me klubin anglez, bëri të ditur sot klubi italian.
“Unë jam i kënaqur që jam rikthyer. Unë e kam mbajtur këtë klub gjithnjë në zemrën time dhe gjithnjë kam dashur që të rikthehem”, deklaroi Balotelli, pasi kaloi vizitën mjeksore.
“Fizikisht unë jam gati (…) Dua të nis stërvitjen që nga sot për të realizuar një sezon të mirë”, shtoi ai.
Adriano Galliani, administrator i deleguar i klubit lombard, ishte shprehur të dielën se ka diskutuar me Liverpoolin për huazimin e tij.
I shitur verën e kaluar për 21 milionë EURO nga AC Milan, sulmuesi 25-vjeçar me karakter të veshtirë nuk shkëlqeu me Reds.
Balotelli ka luajtur edhe me Manchester City (2010-2013), më pas tek Milani dhe në 2014-2015 një sezon të dështuar me Liverpoolin.
Italiani njihet mirë nga Sinisa Mihajlovic, trajneri aktual i AC Milan. Serbi ka qenë ndihmëstrajner i Interit, ku “Super Mario” ka luajtur në vitet 2006-2010.