Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Marrëveshja e Uashingtonit nuk përfaqëson asgjë, vetëm dialogu evropian ka legjitimitet ndërkombëtar

Prizren Post | 23:35 - 02.06.2021

  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

BRUKSEL – Udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës do të takohen menjëherë për të rifilluar dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian që do të normalizojë marrëdhëniet dhe do t’i vendosë të dy kombet në një rrugë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, tha për Euronews i dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak.

Lajçak, një ish-ministër i jashtëm sllovak, tha se është caktuar një datë për një takim midis kryeministrit të ri të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit serb, Aleksander Vuçiq. Ai shtoi se do të njoftohet së shpejti nga shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Lajçak theksoi pas një vizite në Prishtinë dhe përpara një vizite në Beograd se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ishte rruga e vetme për anëtarësimin në Bashkimin Evropian për të dy kombet. Bisedimet filluan një dekadë më parë, por kanë ngecur në vitet e fundit.

“Nuk ka asnjë rrugë tjetër rreth dialogut si për Serbinë, ashtu edhe për Kosovën”, tha Lajçak, përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë. “Rruga e tyre evropiane kalon përmes dialogut. Kjo është ajo që ka rëndësi. Kurti e di atë, gjithashtu edhe Vuçiq”, shtoi ai.

Kurti, i cili u zgjodh kryeministër pas një fitore të madhe në muajin shkurt, ka thënë vazhdimisht se dëshironte një falje nga Serbia për veprimet e saj gjatë konfliktit 1998-99, e cila çoi në zhvendosjen e deri në një milion kosovarëve dhe të paktën 20 mijë të vdekurve, transmeton Telegrafi.


Etiketa:

Bëni një koment