E shtunë, 22 Gusht 2015
Gazeta malazeze Vijesti ka njoftuar se marrëveshja për demarkacionin, e cila ishte negociuar me Malin e Zi në vitin 2009, do të nënshkruhet në Vjenë, gjatë samitit të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet më 27 gusht në kryeqytetin austriak.
Duke u thirrur në burime qeveritare, ky medium njofton se kufiri i Malit të Zi me Kosovën do të jetë ai i vitit 1974.
Mali i Zi përveç Kosovës, do të nënshkruaj marrëveshje edhe me Bosnjën e Hercegovinën.
Aty do të jenë Presidentja Jahjaga dhe Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, ndërkohë që marrëveshja do të nënshkruhet nga Ministrat e Jashtëm edhe ata të Brendshëm.
Po ashtu, i pranishëm do të jetë edhe Presidenti austriak Heinz Fischer.
Burime nga qeveria e Malit të Zi kanë thënë se lokacionet në Kullë afër Rozhajës dhe në Grykën e Rugovës poshtë Çakorrit ku ndodhen stanet e shqiptarëve, sipas marrëveshjes do të mbesin brenda territorit të Malit të Zi.
Gazeta e Malit të Zi “Vijesti” ka cituar Qeverinë e Kosovës duke thënë se marrëveshja për kufirin është në pajtim me Kushtetutën e vitit 1974.
Vijesti po ashtu transmeton lajmet nga Kosova dhe kontestimet për këtë marrëveshje duke thënë se të gjitha 79 kilometrat janë dhe veçmas 900 metrat janë kontestuese te Kulla dhe Bjeshka e Çakorrit.
Theksohet se pikërisht tek pikëkalimi i Kullës, në rrugën Pejë –Rozhajë, kufiri është i vendosur pesë kilometra brenda territorit të Kosovës dhe me këtë rast Kosovës i janë marrë 12 mijë hektarë, të cilat i takojnë me kadastër Komunës së Pejës.
Vijesti ka njoftuar edhe për protestat e Ramush Haradinajt në lidhje me këtë çështje. Prishtina dhe Podgorica rreth kësaj teme kanë negociuar në vitin 2009.
Etiketa: Demarkacioni, Kosova, Mali i Zi