E shtunë, 23 Prill 2016 
Angela Merkel
Berlin – Ditën e sotme, kancelarja gjermane Angela Merkel së bashku me zyrtarë të lartë evropianë, pritet të vizitojnë kufirin turko-sirian. Kjo vizitë po bëhet për të promovuar një marrëveshje kontroverse 4-mujore për emigrantët.
Sipas BBC-së, vizita vjen mes dyshimeve për ligjshmërinë e paktit BE-Turqi që parashikon deportimin në Turqi të emigrantëve që nuk janë të kualifikuar për azil në Greqi.
Merkel pritet të vizitojë një kamp refugjatësh në qytetin jugor të Gaziantepit, pranë kufirit sirian, ku do të takohet me kryeministrin turk Ahmet Davutoglu.
Ajo do të shoqërohet nga presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, dhe zv/presidenti i KE-së, Frans Timmermans.
Ndërkohë, kancelarja Merkel po përballet me një trysni në rritje në Gjermani për politikat e emigracionit, por ajo vazhdon të mbrojë ujdinë me Turqinë, pavarësisht kundërshtive nga disa partnerë europianë. Qëllimi i marrëveshjes është të pengojë kalimin e emigrantëve nga Turqia në Greqi.
“Amnesty International” ka deklaruar se “Ankaraja ka kthyer shtetas sirianë në vendin e tyre në mënyrë të paligjshme”. Ndërsa nga ana e saj, Turqia i mohon akuzat dhe paralajmëron se marrëveshja mund të dështojë nëse premtimet e BE-së për ndihmën financiare prej 6.8 miliardë eurosh dhe për liberalizimin e vizave nuk do të plotësohen.
Sipas marrëveshjes, Turqia duhet të përmbushë 72 kushte deri në 4 maj për të përfituar heqjen e vizave, por diplomatët thonë se vetëm gjysma e pikave janë plotësuar deri më tani.
Që prej 20 marsit, personat që mbërrijnë ilegalisht në Greqi, kthehen mbrapsht në Turqi nëse nuk aplikojnë për azil apo nëse kërkesa e tyre refuzohet. Për çdo sirian të kthyer, BE-ja duhet të pranojë direkt nga kampet turke një tjetër shtetas të këtij vendi, i cili ka bërë kërkesë të ligjshme. Skema ka reduktuar ndjeshëm numrin e të ardhurave, nga më shume se 56 mijë në muajin shkurt në rreth 7800 përgjatë 30 ditëve të fundit.