E diel, 2 Korrik 2023
PRISHTINË – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka quajtur masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian “të padrejta” dhe ka thënë se shpreson që ato të jenë të shkurtra pasi që “Kosova është një vend që ka nevojë për mbështetje në zhvillimin e saj”.
Deklarata e Kurtit vjen një ditë pasi një zëdhënës i Bashkimit Evropian ia konfirmoi Radios Evropa e Lirë se Qeverisë së Kosovës i janë komunikuar masat ndëshkuese qysh më 28 qershor, si pasojë e vlerësimit të BE-së se Kosova nuk ka ndërmarrë hapat e kërkuar për uljen e tensioneve në veri.
Kurti tha se ai do të vazhdojë me programin e tij qeverisës, pasi që shtoi se “nuk mund të bëj kompromis as me sundimin e ligjit e as me kushtetutshmërinë e vendit”
“Pra, këto nuk janë sanksione. Por, është e vërtetë që janë masa të përkohshme por të padrejta për shkak se Kosova dhe Qeveria e saj janë edhe shteti edhe ekzekutiv më demokratik pro-evropian dhe progresist”, tha Kurti.
Ai shtoi se “shpresojmë që këto masa të përkohshme do të jenë fort të shkurtra ashtu që edhe mbështetja edhe ndihma evropiane të jenë të plota, e mbase edhe të rriten”.
Etiketa: Aktuale, Albin Kurti, Bashkimi Europian, Kosovë