Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Mbi 80 milionë euro për hekurudhat e Kosovës, lidhet me rrjetin evropian

Prizren Post | 12:36 - 08.12.2015

Prishtinë – Më shumë se 80 milionë euro janë dhënë në dispozicion nga Banka Evropiane e Investimeve (BEI) dhe Komisioni Evropian (KE) për nisjen e modernizimit të hekurudhës 148 kilometrëshe në Kosovë, duke e lidhur atë me rrjetin evropian.


Një marrëveshje kredie prej 42 milionë euro për modernizimin pjesës së Kosovës në rrjetin hekurudhor evropian “Route 10” u nënshkrua sot nga Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm i BEI, Romualdo Massa Bernucci, dhe Ministri i Financave të Kosovës, Avdullah Hoti, në praninë e Shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesit Special të BE-së, Samuel Zhbogar.

Në të njëjtën kohë, BE-ja do të mbështesë fillimisht këtë projekt me një grant prej 40 milionë eurosh për përgatitjen dhe zbatimin e projektit. 40 milionë euro te tjera në grantin e BE-së janë paraparë potencialisht për fazat e mëvonshme të këtij projekti.
“Kjo është kredia e parë e BEI-së për sektorin publik të Kosovës ndonjëherë “, tha Massa Bernucci.

“Kjo kredi kontribuon në angazhimin e Bankës për të mbështetur “veprimin klimatik” si rezultat i zvogëlimit të përgjithshëm të pritur të gazrave serë që paraqiten nga ndryshimi i mënyrës së transportimit të mallrave dhe pasagjerëve si rezultat i këtij projekti.”

“Përmes këtij projekti, Kosova do të përfitojë nga një grant investues i konsiderueshëm i BE-së, si pjesë e rezultateve konkrete të BE-së në agjendën e lidhjes për Ballkanin Perëndimor dhe angazhimin e saj për perspektivën evropiane në kuadër të kornizës së procesit të Berlinit”, tha Zhbogar.

“Rehabilitimi i rrjetit hekurudhor do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët e Kosovës. Kjo lidhje hekurudhore do të rezultojë në përmirësim të kapacitetit hekurudhor për pasagjerë dhe mallra dhe në përmirësim të dukshëm të kohës së udhëtimit, me emetime të zvogëluara të CO2. Kjo shumë e financuar nga Bashkimit Evropian pritet të paktën të dyfishohet për ekonominë lokale në një afat më të gjatë kohor.”

Projekti për modernizimin e hekurudhës është përfshirë në pakon për investime të aprovuar në samitin e Ballkanit Perëndimor në gusht 2015 në Vjenë, në kuadër të agjendës më të gjerë të Bashkimit Evropian për promovimin e lidhjes në rajon dhe të lidhjes me BE-në.
Ky projekt do të integrojë rrjetin hekurudhor të Kosovës në korridorin Orient/Lindja-Mesdhetare, duke lidhur Ballkanin Perëndimor me Austrinë, Greqinë dhe Bullgarinë, si pjesë e Korridoreve të Rrjetit Kryesor të Rrjetit Trans-Evropian të Transportit (TEN-T).

Linja hekurudhore “Route 10” është 250 km e gjatë, prej së cilës 148 km janë në Kosovë dhe pjesa tjetër në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe Serbi. Modernizimi pritet të nisë në fund të vitit 2016 dhe të finalizohet në fund të vitit 2020.

Aktualisht, projekti për modernizimin e hekurudhave në Kosovë ka marrë një zotim prej gjithsej 122 milionë eurosh. Krahas 40 milionë eurove nga granti i BE-së dhe 42 milionë eurove nga kredia e BEI-së, ky projekt ka përfituar 40 milionë euro nga kredia e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), që është dakorduar në shtator 2015. Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF) ka kontribuuar gjithashtu në këtë projekt.

HISTORIKU

Në prill të vitit 2015, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë arritur një marrëveshje për rrjetin kryesor të transportit dhe në muajin qershor 2015 kanë arritur marrëveshje për zgjerimin e tre korridoreve kryesore të Rrjeteve Trans-Evropiane të Transportit për në Ballkanin Perëndimor. Ato kanë identifikuar gjithashtu projektet prioritare përgjatë seksioneve të këtyre korridoreve që do të implementohen deri në vitin 2020. Në BE, rrjeti kryesor lidh të gjitha kryeqytetet e BE-së, qendrat ekonomike kryesore dhe portet më të mëdha të BE-së. Zgjerimi i korridoreve të rrjetit kryesor për në Ballkanin Perëndimor mundëson përshpejtimin e reformave politike dhe rregullative, derisa përpjekjet dhe investimet e shtuara për korridoret kryesore dhe ndër-lidhjet sigurojnë integrim më të afërt me BE-në. Ato gjithashtu sigurojnë bazën për investim leverazhi në infrastrukturë, si mbështetja e BE-së përmes Kornizës Investuese të Ballkanit Perëndimor dhe mjetit për lidhjen e Evropës “Connecting Europe Facility”./lajmi/


Etiketa:
Arivisti Company