Mbi tradhëtinë dhe gardianët e umetit


E mërkurë, 13 Qershor 2018

Autor: Albert BERISHA

Si mund të jetë burgu i mirë kur je larg njerëzve që i do?
Si mund të jetë i mirë burgu kur ndihesh i paralizuar dhe i pafuqishëm për të qenë i dobishëm?
Si mund të jetë i mirë burgu kur të tmerron ideja që je larg familjes dhe jeton çdo ditë me frikën se mund t’u ndodh diçka e keqe?
Si mund të jetë burgu i mirë kur gjatë natës ëndërron që po shëtitësh nëpër Prishtinë ndërsa zgjohesh dhe e sheh që realiteti yt janë grilat?
Të vret ndërgjegjja për dëmin që ja ke bërë familjes, të mbulon ndjenja e urrejtjes për ata që të kane sjellë këtu, e urren veten që e ke shkatërruar çdo mundësi për të arritur në profesion.
Pra si mund të jetë i mirë burgu???
A ka ndonjë të mirë burgu, e si mund të jetë i mirë një ambient i tillë?

Duke menduar thelle thelle vjen në përfundim se “PO”, i ka të mirat e tij edhe ky i shkretë
burgu. Përderisa je i mbyllur në këtë objekt të neveritshëm të ndërtuar nga kontejnerët dhe betoni e hekurat ke diçka të vlefshme që pak kush e ka. Ajo është “Koha”.
Ke kohë të mjaftueshme për të adhuruar Krijuesin, ke kohë të mjaftueshme për t’u penduar ndaj secilit mëkat, ke kohë për të bërë listën e njerëzve që mbase ju ke hy në hak ose i ke lënduar, ke kohë për lexim edhe për ndonjë orë fitnes, varësisht prej tripave. Ke kohe për të reflektuar, ke kohë për të bërë plane e për të shpresuar se një ditë, dikur do behet mire …., e edhe nëse është e shkruar për ti mbajte çdo ditë të dënimit apo siç e thonë të burgosurit e tjerë me humor “deri n’drrasë”.
Dhe ajo çka ke kohë më shumë është koha për të kujtuar çdo moment nga e kaluara, çdo detaj të rrugës që ke kaluar, çdo ngjarje e çdo individ që ka hyrë në jetën tënde pa leje e rastësisht.
Në një nga këto ditët e bukura të pranverës ku e vlerëson secilën bimë, secilën lule,secilën cicërimë zogjësh e secilën rreze dielli, gjatë kohës sa po na lejojnë të dalim në shëtitje dy herë në ditë nga një orë, të rrethuar me tela mbi tre metra, me shkoi mendja për një fenomen që me ka përcjellë këto 5 vitet e fundit.

Më shkoj mendja tek tradhtia nga njerëzit.

Mu kujtua një vëlla i dashtun mysliman nga ata të linjës së ashpër, asi tipi “hardcore tekfiri” që vranë e prenë e grinë me gojë. Asi qe e ka çlirua gjysmën e umetit prej qafirëve. Mu kujtua ai momenti kur i pata thënë se po nisem për Sham po nuk dua me pas pune me grupe terroriste. Më pat dhanë besë sii vëlla që aty s’na dërgon. E pasi që shkuam për ti ble biletat më tha bleje veç tënden se mu më duhet me i prit do tjerë vllazni! Tradhtia e parë.
Tradhtia e dytë ishte kur unë i ngazëllyer që po i bashkohem xhihadit teksa po bëja dua në aeroplanin e Pegasus në të cilin po fluturoja për herë të parë në jetën time, mezi s’prisja ti takoj nja 5 vllazni tjerë diku në Anadoll aty ku me kishin thënë se do me prisnin. Ata kishin vendosë mos me më prit, sepse kishin filluar të mendojnë që jam far agjenti. Pra i kish pas rroke sindromi i “xhejms bondit” që është shumë i theksuar tek ne kosovarët e porsadalë nga lufta. Më vonë dëgjova se njërin nga ta e kishin kthyer turqit në Kosovë, dhe sot është në burg i shkreti,e Allahu e liroftë se më dhimbset sa vetja. Tre të tjerët janë vrarë në luftime dhe i katërti që e njoh mirë ja ka therë diku në Evropë pa asnjë therrë në këmbë.
Tradhtia e tretë me ndodhi me ata dreq telefona të lodhtë, e me kontakte në internet për me gjetë njerëz me kalu kufirin edhe me mbrri te shqiptarët. Njëfarë tipi prej Kosovës tu nejt si zotni më tregonte kah me shku e te kush me shku, edhe me lutej me bo dua për të deri sa më dërgoj në thertore.

Tradhtitë tjera pasuan pasi u ktheva në Prishtinë, shoqëruar pastaj me shpifje, sulme pse u ktheva, dyshime pse pranova që kisha udhëtuar atje, sharje pse dola në media, etiketa për lakmi e çka jo tjetër .
Sa pak ditë, kaq rrugë e vështirë, kaq shumë përjetime, kaq shumë tradhëti, e në fund fajtori i vetëm jam unë.
Duke analizuar rastin tim po filloj ti shoh e ti analizoj gjerat në një nivel pak më makro. Në një nivel pak më global. Dhe nuk arrij të kuptoj se si një grumbull tradhtarësh arrijnë që të manipulojnë kaq shumë njerëz të rinjë e naiv, dhe si arrijnë që të shkaktojnë kaq shume mjegull e trazira në emër të një rilindje islame dhe në emër të luftës së shenjtë. Si është e mundur qe këta e kanë monopolizuar Islamin, e kanë uzurpuar të drejtën, e kanë dërmuar e terrorizuar një komunitet të tërë të përberë nga miliona besimtarë.
Është tmerrues fakti se si tradhtinë dhe manipulimin e kanë bërë vlerë të kauzës se tyre dhe sa me zell mundohen që këtë kauzë të tyre ta bëjnë kauzë të të gjithë neve.

Kur e mendoj sot se sa djali i ri është tradhtuar dhe është dërguar në strofullën e hienave dhe s’ka pas mundësi e guxim as fjalën me ua kthy….,akoma i kujtoj fytyrat e tyre të frikësuara e të zhgënjyera. Sa e sa i riu ka mbetur rrugëve i tradhëtuar, sa të tjerë janë vrarë pas shpine, e sa të tjerë janë përjashtuar e sharë.
1. Me kujtohet një ngjarje që se heq dot nga mendja. Një dialog që zhvillova me njërin nga top gardianët e umetit:
“E kapem njanin me e therrë e ja nisi me kajtë ” – më tha .
“Pse? ” – i thashë,
“Dyshova që osht shpiun” – ma ktheu, dhe vazhdoi duke treguar ngjarjen, “Ja bana ….o vlla pse po kanë? Ti nëse je i sinqertë,atëherë Allahu ta pranoftë shehidllakun, e edhe mua me faltë që po dyshoj, ama jemi në luftë” dhe përfundoi muhabetin me një të qeshur cinike.
U shtanga, me humben fjalët dhe arsyeja. Pra po mjaftojka dyshimi që dikujt me ju veshë rrobat e portokallta????
Kur e kujtoj këtë dialog, jam me i lumtur që kam të veshur vetëm jelekun e portokalltë në burgun e shpifur të Lipjanit,përderisa shëtitëm në shëtitoren e shpifur.
Kaq shumë tradhëti dhe akoma çuditemi pse Asadi është në pushtet dhe po e rimerr tokën e Shamit. Ai nuk po fiton pse është dikushi, sepse thjesht e ka të rezervuar vendin e tij në radhën e kriminelëve me mizor në histori, por ne ja dhuruam fitoren për shkak të mëkateve tona.
Nuk shkon edhe gardian i umetit edhe me tradhtu kaq shumë. Nuk shkon me i shpallë luftë diktatorit e me vra vllazni. Nuk shkon me pretendu me mbrojt nderin e myslimanëve dhe me ua nëpërkëmbë dinjitetin. Nuk shkon edhe me tradhëtu edhe me shpresu në fitore.
Si përfundim,unë jam vetëm një nga qindra mijëra djem të rinj që janë tradhtuar, manipuluar e vrarë pas shpine nga grupacionet ekstremiste këto vite lufte.
Dhe si përfundim ata nuk e përfaqësojnë Islamin e as që ua ndjenë për myslimanë.
Dhe si përfundim prapë jam në burg, i veshur me të portokalltë dhe kam kohë për të menduar si ta ndryshoj veten dhe si të ndryshojmë për të mirë si komunitet.
Kohë kam …..
Kohë kemi ….

Shkruar nga: I dënuari , i tradhtuari, i veshuri në të portokalltë.
*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.

Etiketa:
Të fundit