E enjte, 2 Tetor 2014
Deputetët e bllokut LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje, kanë filluar mbledhjen e nënshkrimeve për të kërkuar vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit, e cila sipas tyre duhet të thirret në mesin e javës së ardhshme.
Vjosa Osmani, deputete e LDK-së, i ka bërë thirrje PDK-së që të pranojë se shumica i formon institucionet. Ajo tha se pasi “Flora Brovina po e bllokon vazhdimin e seancës, po shkel edhe detyrimin që ia ka përcaktuar aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese”, Kushtetuta sqaron se me 40 nënshkrime deputetët mund ta thërrasin seancën e jashtëzakonshme.
“Neni 66 i Kushtetutës po ashtu flet edhe për mundësinë që Kuvendi të mblidhet vet dhe po ashtu e njëjta Kushtetutë sqaron se më 40 nënshkrime deputetët mund të thërrasin seancë të jashtëzakonshme. Unë mendoj që bllokada institucionale që PDK-ja po e bën e që u dëshmua edhe sot, e krijon atë rrethanë të jashtëzakonshme që na lejon neve me 40 nënshkrime ta thërrasim vazhdimin e seancës. Deputetët lejohen të mblidhen nëse i bëjnë 40 nënshkrime. Mund ta quani ose vazhdim ose çkado tjetër, por na lejohet të mblidhemi përderisa i kemi 40 nënshkrime. Dhe, përderisa më shumë se 61 deputetë janë në sallë, na lejohet të marrim edhe vendime përderisa e kemi atë kuorum”, ka thënë ajo.
Ismet Beqiri, po nga kjo parti, tha se shtyrja e seancës është bërë në mënyrë arbitrare.
“Ajo (Brovina) po e refuzon një obligim që tash e ka edhe me vendim të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë ai.
Beqiri tha se kryesuesja mund të zëvendësohet, por se sipas tij fillimisht mbledhja e nënshkrimeve është për vazhdimin e seancës në javën e ardhshme.
“Ajo mund të zëvendësohet edhe është paraparë që mund të zëvendësohet. Nëse vazhdon kështu, tjetër rrugë nuk ka”, ka shtuar ai.
Ndryshe, sipas Beqirit, tashmë janë mbledhur mbi 60 nënshkrime të deputetëve, me anë të së cilave kërkojnë që seanca të mbahet në mesin e javës së ardhshme.
Etiketa: Kosovë, Kuvendi