E martë, 30 Qershor 2015
Bankat kanë ulur “qepenat”, tregtarët presin klientët dhe punonjësit e tyre shpresojnë të paguhen…
Të hënën, me vendosjen e një kontrolli të kapitaleve, një javë e pazakontë ka nisur në Greqi, ku ekonomia është tradicionalisht e bazuar në paratë likuide.
Ndërprerja spektakulare e negociatave me Athinën këtë fundjavë i ka dhënë krizës greke një kthesë dramatike dhe të pazakontë. Duke reaguar për njoftimin e papritur të Kryeministrit grek, Aleksis Tsipras, për një referendum që do të zhvillohet të dielën për planin e ndihmës financiare të propozuar nga kreditorët, zona EURO ka vendosur për të mos zgjatur ndihmën për vendin, duke rrezikuar falimentimin e tij.
Pas kësaj, shfaqet skenari i zi për një dalje të mundshme nga eurozona. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e papërkulur në përpjekjet e kërkuara për Athinën, e lidhi referendumin me mbajtjen e vendit në zonën euro, duke propozuar pritjen e rezultateve para një vazhdimi të mundshëm të negociatave.
Gruaja e hekurt gjermane konfirmoi të hënën se dështimi i euros do të ishte dhe dështim i Evropës, duke bërë thirrje për kompromis, ndërkohë që rreziku për një dalje të Greqisë nga monedha e përbashkët është i ulët.
“Nëse euro dështon edhe Evropa dështon”, deklaroi Merkel para përfaqësuesve të partisë së saj konservatore në Berlin, në fjalimin e parë pas dështimit të negociatave në Bruksel mes Greqisë dhe kreditorëve.
Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, nisi një luftë për “pro”, duke bërë përpjekje për të bindur grekët për të mos i kthyer shpinën euros në momentin kur vendit të tyre, në buzë të greminës, i është dashur të mbyllë bankat.
Bursat evropiane janë mbyllur të gjitha në rënie, të destabilizuara nga zhvillimet e reja të kësaj krize.
“Porta mbetet e hapur për negociatat me Greqinë pavarësisht ndërprerjes së diskutimeve në fundjavë”, theksoi Presidenti i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem, duke shtuar se ishte ende e pranueshme për të shmangur një “Grexit”.
Presidentët francez dhe amerikan, François Hollande dhe Barack Obama, kanë rënë dakord për të koordinuar përpjekjet e tyre për favorizimin e rifillimit të bisedimeve mbi krizën greke, gjatë një bisede telefonike, bëri të ditur rrethi i kreut të Pallatit Elize.
“Ata ranë dakord për koordinimin e përpjekjeve të tyre për favorizimin e rifillimit të diskutimeve, duke mundësuar zgjidhjen sa më shpejt të zgjidhjes së krizës dhe për të siguruar stabilitetin financiar të Greqisë”, deklaroi i njëjti burim.
“Referendumi nuk do të jetë një ndeshje e Komisionit Evropian kundër Tsiprasit, por e euros kundër dhrahmisë. Është zgjedhje”, shkroi Kryeministri italian, Matteo Renzi, në një mesazh në rrjetin social “Twitter”.
Sipas një sondazhi nga “Kapa research”, realizuar para njoftimit të referendumit, rreth 47 për qind e grekëve janë për një marrëveshje dhe 33 për qind kundër, 20 për qind nuk janë shprehur.
“Propozimi i bërë për Greqinë nga kreditorët dhe që do t’i nënshtrohet referendumit, nuk është një paketë masash shtrënguese të paarsyeshme”, theksoi Jean-Claude Juncker.
“Nuk ka ulje pagash në këtë paketë, nuk ka ulje pensionesh”, deklaroi ai, duke konfirmuar se Komisioni Evropian ka këmbëngulur për shumë drejtësi sociale në disa masa të diskutuara mes Athinës dhe kreditorëve.
“Do t’i kërkoj popullit grek që të votojë ‘pro’ në referendum”, theksoi Juncker. Sipas tij, një “jo” në referendum do të thotë “jo” Evropë.
Kreu i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, e sulmoi ashpër qeverinë greke duke thënë se ndihej i tradhëtuar nga egoizimi i treguar prej Athinës në bisedimet e dështuara të borxhit.
Prej mëngjesit të së hënës, me një vendim të qeverisë greke, të gjitha bankat e vendit nuk janë hapur dhe do të mbeten të mbyllura deri në 6 korrik, një ditë pasi të zhvillohet referendumi. Vendimi përfshin bankat greke dhe të huaja në Greqi.
Gjithsesi, sipas udhëzimeve, nuk do të kenë probleme në shkëmbimet bankare elektronike, ato me përdorimin e kartave të kreditit dhe debitit, si dhe mënyrat e pagesave nëpërmjet sistemeve bankare internetore dhe telefonike. Edhe kartat e parapagimit mund të përdoren deri në limitin e caktuar, që ekzistonte deri para urdhërit për mbylljen e bankave.
Prej të hënës, grekët do të mund të tërheqin në të gjitha ATM-të deri në 60 EURO në ditë, pra 1.800 euro në muaj. Turistët e huaj mund të përdorin normalisht kartat e tyre, nëse ato janë dhënë nga bankat e huaja.
Ndërkohë, bëhet e qartë se mbyllja e bankave nuk ka të bëjë aspak me pasigurinë e depozitave, për të cilat thuhet dhe theksohet se janë të sigurta e nuk kanë asnjë problem, pasi janë të mbrojtura me vendim të BQE-së./TRT/