Më 1 shtator nuk ka mësim, greva vazhdon


E mërkurë, 31 Gusht 2022

PRISHTINE – Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj në një konferencë për media ka bërë të ditur se nesër nuk do të ketë mësim dhe se greva do të vazhdoj.

“Nesër është 1 shtatori dhe po të kishim angazhim të sinqertë të shtetit tonë nesër do të kishim fillim të vitit shkollor, por fatkeqësisht pasi që mungon dialogu greva do të vazhdoj kjo do të thotë që edhe nesër punëtorët e arsimit do të jenë në grevë dhe ajo do të vazhdoj edhe më tutje derisa qeveria të filloj realizimin e kërkesave tona”, tha Jasharaj.

Ai u bëri thirrje prindërve dhe nxënësve që t’i mirëkuptojnë, derisa u bëri lutje prindërve që fëmijët nesër mos t’i dërgojnë në shkolla.

“Apeli im edhe njëherë është që për hir të sigurisë së nxënësve, ata të mbesin në shtëpi dhe nëse do të kemi informacione që dikush do të tentoi të ushtroi presion ndaj grevistëve do ta informojmë Policinë e Kosovës që ajo të intervenojë”, tha Jasharaj.

Jashraj shtoi se greva do të zgjas më pak nëse Qeveria fillon së realizuari kërkesat tona.

“Deklaratat dhe tendencat për t’i frikësuar mësimdhënësit nuk e qetësojnë situatën, nuk japin asnjë rezultat por ndikojnë në përkeqësim të situatës”, tha Jasharaj.

Ai tutje tha se ministri Murati dhe ministrja Nagavci është dashur të dërgojnë mesazhe paqeje.

Jasharaj bëri thirrje që të ndalen kërcënimet e shantazhet dhe të ofrojnë zgjidhje për situatën e krijuar.

“Grevën nuk po e bëjnë individët, është vullnet i shprehur nga punëtorët e arsimit që nga çerdhet e deri në universitet”, u shpreh ai.

Ndryshe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci sot u ka bërë thirrje punëtorëve të arsimit që të ndërpresin grevën.

“Edhe pse kjo grevë u shpall nga BSPK-ja, e njëjta nuk është duke u mbajtur në të gjitha institucionet. Sipas informatave tona, mbi 90 për qind të institucioneve publike nuk po mbahet. Andaj unë kërkoj që të mos ketë grevë as në institucione arsimore. Ju siguroj se gjatë mandatit tim i kemi bërë të gjitha sigurimet e mundshme për punëtorët e arsimit. I kam pranuar në takim sa herë që ka kërkuar SBASHK-u”, tha Nagavci.

Etiketa: , , , ,
Të fundit