“Më 23-24 dhjetor qytetarët do t’i marrin paratë e trustit”


E mërkurë, 16 Dhjetor 2020

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka deklaruar se takimi që patën sot me kryeministrin Avdullah Hoti ishte një konsensus që për çdo masë dhe veprim qoftë ato që shkojnë drejt rimëkëmbjes dhe menaxhimit të pandemisë, të ketë konsulta dhe diskutime, siç patën edhe sot.

“Ne pajtohemi që shëndeti publik dhe sidomos zvogëlimi i numrit të rasteve me fatalitet na COVID-19, është prioritet, por u pajtuam edhe që duhet të bëhen të gjitha përpjekjet që të shmanget çdo mbyllje totale e ekonomisë që do të ishte me pasoja fatale për vet ekonominë. Ajo që është me rëndësi është që çdo vendim mund të ketë ndonjë anomali që mund te ndikojë në krijimin e turmave, apo grumbullimin e qytetarëve dhe të njëjtat mund të rishikohen duke marrë edhe mendimin e ekspertëve shëndetësore”, tha Rukiqi, shkruan lajmi.net.

Tutje ai shtoi se pati një pajtueshmëri që kjo periudhë e vitit, por edhe çdo fundvit tjetër është i frytshëm për bizneset, kur dihet që më së shumti gjatë këtyre muajve dhe muajve të verës ka edhe zhvillim të ekonomisë, ku ndikon edhe efekti i ardhjes së mërgimtarëve.

“Ndërsa këtë vit pritet diçka e jashtëzakonshme, meqë 23-24 dhjetor shumë qytetarë do ti kenë në dispozicion edhe mjetet që i kanë tërhequr nga trusti dhe është e rëndësishme që të shpenzohen në vend. Për shumë kompani nënkupton mbijetesë, e për shumë punëtorë ruajtje e vendit të punës, por edhe për të gjithë stabilitet. Garanton që edhe të realizohen pakot e rimëkëmbjes ekonomike”, shtoi ai.

Etiketa: ,