E enjte, 29 Janar 2015
Prishtinë – Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Jakup Krasniqi ka shkruar një opinion ku shprehë mendimin e tij në lidhje me deklaratat e fundit të udhëheqësve të shtetit.
Krasniqi thotë se ata që po e akuzojnë për marksist janë ata që po e detyrojnë rininë e Kosovës të ikë nga Kosova.
Më poshtë lexoni të plotë shkrimin e Krasniqit:
Etiketa: Jakup Krasniqi, KosovëNuk mund të ketë ironi më të madhe sesa kur dëgjon të të akuzojnë për marksist, ata që kanë mësuar nga “marksistët” jugosllavë sesi akumulohet kapitali “për xhepat e vet” dhe sesi bëhet lufta kundër “armiqve të brendshëm” dhe në anën tjetër, pa fije turpi na flasin për realitetin e mrekullueshëm demokratik që po lulëzuaka në Kosovën tonë, të lodhur nga politikanët injorantë, hilexhinj dhe impotentë!
Nuk mund të ketë ironi më të madhe sesa kur përpiqen të të akuzojnë për marksist, ata të cilët ngjashëm, mu si “marksistët” jugosllavë (Tito, Rankoviqi e Millosheviqi) e detyrojnë rininë e Kosovës, me shpresa të thyera të ikë nga Kosova dhe i detyrojnë heronjtë e nëntokës, minatorët e Trepçës, të mbyllen në zgafellat e minierës, e në anën tjetër flasin për interesat e minatorëve të sjellë buzë mjerimit!
Nuk mund të ketë ironi më të madhe sesa kur ata që nxjerrin nga arsenali i “marksistëve” të përmendur jugosllavë të gjitha etiketat që u ngjiteshin demonstruesve në Kosovë, të Pranverës Shqiptare ‘81, të flasin për vullnetin e qytetarëve të saj!
Mjafton të shfletohen gazetat e kohës (1981/1990), e të lexohen fjalimet e Kolë Shirokës, të Ali Shukriut, të Sinan Hasanit dhe “marksistëve” kryeqeveritarë të tjerë shqipfolës jugosllavë, të devotshëm përjetësisht për besnikëri, kur paturpësisht akuzonin demonstruesit pasi më parë i kishin përgjakur rrugët e Prishtinës, i kishin vrarë e burgosur, për të parë për ironi se ku bazohen qeveritarët e sotëm të Kosovës, kur një mori akuzash të padrejta u vishen demonstruesve të këtyre ditëve! Atëherë donin ta prishnin: shtetin e klasës punëtore, sot tua merrnin pushtetin – e “votave të lira” qeveritarëve tanë?!
Me teoritë dhe praktikat e “marksistëve” e të shovinistëve të përbetuar jugosllavë nuk mund të ngadhënjejë demokracia në Kosovë! Populli shqiptar i Kosovës u ka dhënë fund teorive dhe praktikave të tilla, të mbjelljes së frikës me dhunë policore! Praktika që në emër të një demokracie të imagjinuar dhe të një dhunë faktike, ka përfunduar në qershorin e vitit 1999, dhe, kjo me jo pak sakrifica! Praktikat e shëmtuara a la “marksiste” ish-jugosllave populli ynë nuk do t’i lejojë të shfaqen e rishfaqet nga fosilet e nostalgjikët me mendësi komuniste në Qeverinë e Kosovës.