E hënë, 12 Dhjetor 2016
Prizren – EC Ma Ndryshe në bashkëpunim me OPDMK të dielën ka realizuar performancën publike “Hapësira gjelbëruese”, përmes të cilit aktivitet ka sjellë në vëmendje çështjen e mungesës së hapësirave gjelbëruese publike në Prizren, ku vetëm 3.3% e hapësirave publike brenda qendrës historike është e gjelbëruar.
Performanca ka karakter të përkohshëm, dhe në kuadër të saj, në Sheshin e Lidhjes pjesë të caktuara të hapësirës publike janë mbuluar me barë të freskët dhe janë vendosur disa tavolina dhe karrige të improvizuara, që kanë shërbyer për ilustrimin e kërkesës për më shumë hapësira gjelbëruese publike brenda zonës urbane.
EC-i edhe më parë ka ndërmarrë aktivitete në këtë drejtim, ngase hulumtimet e viteve të kaluara në kuadër të projektit “Qyteti gjithëpërfshirës…”, rregullisht e patën nxjerrë si shqetësim të qytetarëve mungesën e hapësirave gjelbëruese në pjesën urbane.
Aktivizmi i deritanishëm në këtë drejtim vazhdimisht ka kërkuar më shumë vëmendje dhe kujdes të autoriteteve për krijimin e hapësirave publike gjelbëruese brenda zonës urbane pasi që qytetarët e Prizrenit duhet ta gëzojnë të drejtën për më shumë hapësira dhe vende të gjelbra për tu relaksuar.
EC konsideron se hapësirat e gjelbra, me mundësi për ulje, zhvillim të lojërave dhe leximit e rekreimit, janë disa nga mundësitë që qytetarët ia vlen t’i kenë në qytetin e tyre, prandaj dhe përmes nismave të ndryshme po përpiqet që të nxisë idenë mbi ndryshimin e hapësirës publike, gjithmonë duke e pasur vet qytetarin në fokus. Prandaj Prizreni duhet ta përdorë hapësirën publike në shërbim të të gjitha kategorive të shoqërisë.