E premte, 30 Qershor 2017
Cagliari bëhet skuadra e shtatë e Serisë A që kërkon shërbimet e Ledian Memushajt. Mesfushori kuqezi është një prej lojtarëve më të pëlqyer kësaj vere në elitën e futbollit italian, pavarësisht se vlonjati nuk e ka fshehur dëshirën të qëndrojë te Pescara.
Në këtë mënyrë, klubi nga Sardenja është futur në garën për 30-vjeçarin, për të cilin deri më tani kanë shfaqur interes Spal, Benevento, Lazio, Bologna, Empoli e Crotone.
Por, performanca e Memushajt dhe kualiteti që garanton në mesfushë nuk kanë kaluar pa u vënë re, jo vetëm në Itali por edhe në Francë. Nga Ligue 1, për shërbimet e Ledian Memushajt interes ka shfaqur edhe Lille.
Skuadra franceze është futur në këtë mënyrë në garë me gjysmën e skuadrave të Serisë A, ndërsa një arsye më tepër për Memushajn, që të provojë aventurën jashtë Italisë mund të jetë fakti se te Lille do të kishte shansin të punonte me trajnerin e njohur argjentinas, Marcelo Bielsan.
Etiketa: ledian memushaj, Serie A