E shtunë, 20 Korrik 2019
BERLIN – Kancelarja gjermane Angela Merkel, në konferencën vjetore me gazetarë, tha se ajo do të mbetet në postin e kancelares deri në vitin 2021, pra deri në përfundim të mandatit të tanishëm, të fituar në zgjedhjet e fundit. Në këtë mënyrë ajo i dha fund edhe një herë spekulimeve për mundësinë e largimit të parakohshëm nga posti i kancelares.
Në konferencën tradicionale vjetore me gazetarë Merkel u përgjigj edhe në pyetjen rreth sulmeve të fundit të presidentit Donald Trump ndaj katër kongresisteve demokrate në SHBA.
Ajo u shpreh me përbuzje ndaj këtyre sulmeve. “Unë distancohem qartë nga këto deklarata dhe ndjej solidaritet ndaj grave të sulmuara”, theksoi Merkel në konferencën e saj vjetore për shtyp në Berlin. “Njerëzit me kombësi shumë të ndryshme kanë kontribuar në forcën e popullit amerikan”, theksoi Merkel duke shtuar se deklaratat e Trumpit janë në “kundërshtim me fuqinë e Amerikës”.
Merkel iu bashkua kështu valës së kritikave ndaj Trumpit, për shkak të një mesazhi të tij në Twitter ku shkruante se kongresistet e Partisë Demokratike duhet të “kthehen në vendet prej nga kanë ardhur dhe të ndihmojnë këto vende krejtësisht të rrënuara nga krimet”.
“Kockat raciste…”
Të gjithë kongresmenët e Kongresit amerikan janë shtetas të këtij vendi, ndaj kërkesa e tij për largimin e personave me origjinë të huaj nuk qëndron fare. Vërejtjet e Trumpit janë kritikuar dhe quajtur “raciste”, edhe pse vet Trump i ka hedhur poshtë këto pohimet duke thënë se ai në trupin e tij nuk ka “asnjë kockë raciste”, njofton TCH.
Etiketa: Aktuale, Angela Merkel, Donald Trump