E premte, 11 Mars 2016
Berlin – Kancelarja gjermane, Angela Merkelm deklaroi sot se në rast të dështimit të marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Turqisë për krizën e emigrantëve, atëherë Greqia nuk do të mund ta përballonte e vetme këtë barrë.
Merkel bëri deklarata të rëndësishme në lidhje me rolin e Turqisë në krizën e refugjatëve gjatë një interviste për radion shtetërore gjermane, “MDR”.
Ajo paralajmëroi se mbyllja e së ashtuquajturës “rruga ballkanike” nuk e zgjidhte problemin e refugjatëve dhe se kjo nuk është një lëvizje afatgjatë apo e qëndrueshme.
“Problemi nuk zgjidhet duke marrë vendime të njëanshme. Nëse ne do të dështojmë në arritjen e një marrëveshjeje me Turqinë, atëherë Greqia nuk do të mund ta përballonte e vetme dhe për një kohë të gjatë presionin e mbërritjes së emigrantëve”, theksoi ajo.
Nga ana tjetër, Peter Altmaier, ministër i Kancelarisë Federale të Gjermanisë, i emëruar nga Angela Merkel si emri i plotfuqishëm në lidhje me krizën e emigrantëve, tha se qëndrimi i Turqisë rreth kësaj çështjeje është më evropian sesa ai i shumë vendeve anëtare të BE-së.
Etiketa: Ahmet Davutoğlu, Angela Merkel, emigrantet, Gjermania, Turqia