E diel, 28 Prill 2019
Tre javë përpara fundit të kampionatit, edhe La Liga ka dhënë sot verdiktin më të rëndësishëm të sezonit 2018-2019, duke shpallur skuadrën kampione.
Është Barcelona skuadra që renditet mbi të tjerat këtë sezon, duke fituar titullin e dytë radhazi dhe të 26-in në historinë e kampionatit spanjoll.
Katalanët mposhtën me rezultatin minimal 1-0 Levanten në “Camp Nou”, duke hapur shampanjën e titullit para tifozërisë që ishte e shumtë në numër, në shkallët e stadiumit.
Lideri i ekipit, Lionel Messi ishte njeriu që shënoi golin 3-pikësh, me vlerën e titullit kampion mbrëmjen e sotme, teksa u aktivizua në pjesën e dytë dhe çoi topin në rrjetë në minutën e 62-të.
Argjentinasi bëri një sezon të jashtëzakonshëm, teksa ka shënuar 34 gola dhe ka asistuar 13 të tjerë, ndonëse kanë mbetur ende edhe 3 javë nga fundi.
Skuadra e drejtuar nga Ernesto Valverde dominoi kampionatin spanjoll, duke përfituar nga një sezon i dobët për Realin e Madridit dhe luhatjet e shumta të Atleticos së Madridit.
Tashmë katalanët do të përqendrohen në Ligën e Kampionëve, ku në mesjavë do të përballen me Liverpoolin, në sfidën e parë gjysmëfinale.
Barcelona ruan shanset për të bërë tripletë trofesh, pasi ka siguruar edhe finalen e Kupës së Mbretit, ku do të diskutojë trofeun me Valencian në finalen e 25 Majit.
Etiketa: Barcelona, La Liga, Lionel Messi