Milano barazon me Torinon


E shtunë, 1 Shkurt 2014

Ndeshja mes Milanos dhe Torinos, dy skuadrave që në këtë sezon do të luftojnë për një plasman në Europa League, ka përfunduar me barazim 1 me 1.

Pjesa e parë filloi me një lojë mjaftë të barazpeshuar nga dy skuadrat. Milano lojën e saj e bazoi me harkimet e Matia De Sciglios nga ana e djathtë dhe Emmanuelsonit nga ana tjetër. Sidoqoftë këto harkime nuk kishin sukses pasi ato i evitonte pa problem mbrojtja e Torionos.
Ekipi kundërshtar i rosonerëve më shumë u përqendrua në kundërsulmet e shpejta përmes lojtarit të tyre më të mirë Alessio Cerci.

Dhe pikërisht nga këto kundërsulme Milani pësoi golin e parë. Emiliano Moretti pasoi topin te Ciro Immobile, i cili hutoi mbrojtjen e Milanos që mendoi se ai ishte në pozicion jashtë lojës por në lojë e mbajti Emmanuelson dhe ai me lehtësi mposhti Christian Abbiatin.
Pas pësimit të golit, Milani hapi lojën dhe menjëherë në aksionin tjetër tentuan të barazojnë rezultatin. Ishte Gianpaolo Pazzini që me akrobacion goditi topin por atë e priti portieri Daniele Padelli, që sonte ishte në top-formë.

Në minutën e 28-të, Torino nisi një aksion të shpejtë përmes Cercit, i cili harkoi, por nga dy metra afërsi nuk arriti të shënojë me kokë Alexander Farnerud. Më meritori që Torino përfundoi pjesën e parë me rezultat pozitiv, ishte padyshim portieri Padelli që për mrekulli priti një goditje të brazilianit Kaka.

Në pjesën e dytë ndryshoi gjithçka. Torino u kthye në mbrojtje dhe kjo i kushtoi që në fillim të kësaj pjese kur Adil Rami barazoi rezultatin pas asistimit të Sulej Muntarit.
Milani vazhdoi me lojë sulmuese dhe në minutën e 57-të Kaka pasoi topin te Robinho, i cili shënoi, por goli i tij u anulua shkaku i pozitës jashtë loje.

Në minutën e 68-të, futbollisti i kombëtares shqiptare, Migjen Basha u zëvendësua me Kurti. Sa ishte në lojë, Basha kontrolloi mjaftë mirë mesfushën e Torinos.

Torino vazhdoi me taktikën e njëjtë, kundërsulmet dhe po zhvillohej minuta e 84-të kur Abbiati shpëtoi Milanon nga disfata kur doli për ta larguar topin para Cercit.
Deri në fund të ndeshjes nuk kishte më aksione të rrezikshme dhe me rezultat 1 me 1 përfundoi gjithçka.

Me këtë barazim Torino kalon në pozitën e gjashtë me 33 pikë, derisa Milano kalon Lazion në pozitën e nëntë me 29 pikë.

Etiketa: , ,
Të fundit