Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Miliona euro donacione në shëndetësinë kosovare

Prizren Post | 12:50 - 07.12.2013

  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

Prishtinë, 7 dhjetor – Në Qendrën Klinike Universitare kanë hyrë shumë barna, material shpenzues, aparatura dhe pajisje mjekësore në formë donacionesh. Kjo ka arritur vlerën e disa miliona eurove, për vitin 2013, thonë zyrtarë në QKUK dhe në Ministrinë e Shëndetësisë.

Shpend Fazliu, zëdhënës, njëherësh ushtrues detyre i koordinatorit për donacione brenda QKUK-së, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se gjatë këtij viti donacionet e dhuruara për këtë institucion kanë qenë të shumta dhe me vlera të mëdha.

“QKUK nuk e ka shënuar vlerën e donacioneve në vlerë materiale. Por lirisht mund të thuhet se donacionet vetëm këtë vit arrijnë miliona euro. Gjatë vitit 2013, QKUK ka pranuar një numër të konsiderueshëm të donacioneve, makina për larje, dezinfektim, makina për sterilizim, makina për larje – tharje dhe hekurosje të rrobave, në kuadër të lavatores qendrore të QKUK-së, e që ka qenë problematikë e vazhdueshme e këtij institucioni. Kjo është dhuruar nga organizata Care for Kosovo Kids dhe mund të them se është njëri prej donacioneve më të mëdha të dhuruara për QKUK-në këtë vit”, shprehet Fazliu.

Edhe Faik Hoti, drejtor i departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë ka treguar se janë marrë mjaft donacione.

“Ministria e Shëndetësisë ka qenë e mbështetur prej qeverive dhe donatorëve të ndryshëm me programe të ndryshme, që kanë të bëjnë me zhvillimin e reformës shëndetësore, me ngritje të infrastrukturës, ngritje të kapaciteteve humane, e që kanë kontribuar që të sigurohet vazhdimësia e shërbimeve”.

“Është financuar me donacione në projektin e kardiokirurgjisë, projektet për implementimin e sistemit të informimit shëndetësor, odave të mjekëve, përkrahja e legjislacionit dhe projekte tjera nga qeveria e Luksemburgut, gjithashtu mbështetje të projektit HOPE, me citostatikë, mbështetje për tuberkuloz, HIV/AIDS, për projekte për shëndetin e nënës dhe fëmijës etj”, shprehet Hoti.

Buxheti për shëndetësi në vitin 2013 ka qenë 107 milionë euro, derisa vitin tjetër do të jetë 114 milionë euro.

Sidoqoftë, prej pas përfundimit të luftës në Kosovë ka pasur shumë donacione dhe ato nuk janë regjistruar askund.

Zyrtarët shëndetësorë thonë se me kohë është zbehur edhe interesimi për të dhuruar donacione, qofshin ato individuale, apo edhe nga organizata të caktuara.

Por, QKUK-ja vitin e kaluar ka formuar komisionin brenda këtij institucioni, i cili tashmë monitoron dhe regjistron donacionet.


Arivisti Company