Minarja e xhamisë Arasta [foto]


E hënë, 28 Mars 2016

xhamia e arastes minarja

Në pjesën e vjetër të Prizrenit, në anën e djathtë të lumit Lumëbardhi, Evrenos-Zade Jakup Beu mes viteve 1526 dhe 1538 ndërtoi mesxhidin ku pastaj ndërtohet edhe minarja ashtu që xhaminë kryesisht e shfrytëzonin tregtarët.


Xhamia ka qenë e ngritur 2m lart nga sipërfaqja e tokës dhe çmohej me bukurinë e rrallë të brendisë së xhamisë. Përreth xhamisë ndërtohen dyqane kështu që kjo pjesë shndërrohet në një treg të mbyllur (“Arasta”, Kapali Çarshinë e Prizrenit) i cili fillonte nga xhamia e Sinan Pashës dhe përfundonte tek xhamia e Jakub beut. Kapali Çarshi e Prizrenit u dogj tërësisht në vitin 1913 dhe prej asaj kohe nuk ka mbetur fare gjurma e saj.

xhamia_e_arastes

Gjatë kohës xhamia restaurohet dhe rinovohet disa herë ashtu që pëson edhe ndryshime si në dukjen e sajë ashtu edhe në shfrytëzim. Kështu që në shek XIX objekti nga ana e jashtme punohet me stilin neoklasik ndërsa nga ana e brendshme zhvillohet në dy etazhe, ku pjesën e përdheses tregtarët e shfrytëzonin si depo dhe zyre, ndërsa pjesa e katit shfrytëzohej si hapësirë për lutje.

Arasta_Minare

Restaurimi i fundit të objektit bëhet në vitin 1911. Objekti ka pasur funksionin burimor të saj (si xhami) deri më vitin 1960. Në emër të “modernizimit” dhe “zhvillimit” qeveria e atëhershme rrënoi komplekse të tëra në bërthamën e vjetër të Prizrenit, ku për qëllim ka pasur ndryshimin e pamjes dhe organizimit të qytetit. Fatkeqësisht nga këto ndërhyrje rrënohet tërësisht tregu i mbyllur “Arasta” natyrisht edhe xhamia ku minarja e saj kursehet duke lënë atë si “obeliks” para kompleksit të banesave shumëkatëshe që nuk korrespondon fare me urbanizimin organik dhe siluetën e qytetit duke zhdukur pamjen burimore të saj.

Arasta_Minare1

Në vitin 1970 minarja e xhamisë restaurohet dhe konservohet me ç’rast regjistrohet si monument kulture.

Nga ajo kohë e deri në vitin 2007 minarja lihet pa përkujdesje, ku me përkrahjen e OJQ-së CHWB nga Suedia dhe komunës së Prizrenit, IMMH-ja e Prizrenit bën restaurimin dhe konservimin e saj.

Leave a Reply

Të fundit