Minatorët, në pension 55 vjeç


E enjte, 4 Shtator 2014

Tiranë – Ulet mosha e daljes në pension për minatorët e nëntokës. Këshilli i Ministrave miratoi dje projektligjin që ul moshën e daljes në pension të kësaj kategorie në 55 vjeç, nga 60 që ishte me ligjin e vitit 2009. Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është ulja e detyrimit për vitet e punës në nëntokë për efekt sigurimi, nga 15 në 12 vjet e 6 muaj. Projektligji me 13 nene përcakton rregullat e plota për subjektet përfitues dhe masën e përfitimit.

Mosha e pensionit

Çdo minator që ka punuar në nëntokë tashmë do të përfitojë pension në moshën 55 vjeç. “Kanë të drejtë të kërkojnë pension pleqërie si punonjës të minierave, në nëntokë, punonjësit, të cilët arrijnë moshën 55 vjeç dhe kanë një periudhë të përgjithshme sigurimi 30 vjet e më shumë, nga të cilat jo më pak se 12 vjet e 6 muaj të jenë në procese pune në miniera, në nëntokë”, – thuhet në nenin 3 të projektligjit. Ndërkohë që përjashtohen nga kushtet e vendosura për vitet e punës nëntokë, ish-punonjësit e nëntokës që përfitojnë trajtim të veçantë financiar, sipas ligjit nr. 8685, datë 9.11.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, të ndryshuar, të cilët do të përfitojnë pension sipas këtij ligji kur të arrijnë moshën 55 – vjeç dhe të kenë një periudhë të përgjithshme sigurimi 30 vjet e më shumë (përfshirë këtu edhe periudhën e trajtimit të veçantë financiar), nga të cilat, jo më pak se 11 vjet e 6 muaj të jenë në procese pune në miniera, në nëntokë. Masa e pensionit do të llogaritet sipas ligjit “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Personi i cili kërkon të përfitojë pension sipas këtij ligji, jo më vonë se një vit nga data e lindjes të së drejtës, e merr pensionin nga ajo datë. Në raste të tjera, pensioni do të paguhet nga data e paraqitjes së kërkesës.

Subjektet përfituese

Projektligji përcakton se fitojnë të drejtën të marrin pension në moshën 55-vjeçar punonjësit, të cilët deri në datën 30.9.1993 kanë kryer procese pune në miniera, në nëntokë, sipas përcaktimeve në vendimin nr. 526, datë 20.12.1958, të Këshillit të Ministrave, “Për ndarjen e punëve në kategori, për efekt pensioni”, të ndryshuar, si dhe punonjësit, të cilët pas datës 30.9.1993 kanë kryer procese pune në miniera, në nëntokë, të dokumentuara sipas kritereve të përcaktuara në të njëjtin vendim, pavarësisht nëse të punësuarit kanë kryer aktivitet ekonomik në subjekte private apo me kapital plotësisht ose pjesërisht shtetëror. Ndërkohë që personat të cilët do të kryejnë procese pune në miniera, në nëntokë, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji do të paguajnë kontribute shtesë, në masën 5 për qind të pagës bruto, për efekt kontributi. Kontributi shtesë paguhet 3 për qind nga punëdhënësi dhe 2 për qind nga punëmarrësi. Kontributi i sigurimeve shoqërore, në masën 5 për qind, mblidhet dhe derdhet në fondin e sigurimeve shoqërore të detyrueshme, sipas procedurave për mbledhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore të detyrueshme. Për pensionet me datë fillimi para datës 1.1.2015, masës së pensionit të llogaritur sipas këtij drafti do t`i shtohen edhe kompensimet për çmimet dhe për të ardhurat, sipas përcaktimeve me vendim të Këshillit të Ministrave dhe në bazë të kritereve që zbatohen edhe në rastin e pensioneve të pleqërisë për kategorinë e përgjithshme. Përfitimet e caktuara indeksohen, me vendim të Këshillit të Ministrave, sa herë dhe në atë masë që rriten ose indeksohen pensionet e pleqërisë, nga sigurimi i detyrueshëm shoqëror./shekulli/

Etiketa: ,

Leave a Reply

Të fundit