Ministri Hoxhaj theksoi se Kosova mund të përfitojë shumë nga Japonia në asistencë dhe ekonomi, si dhe në disa sektorë të IT-së, industrisë etj.


E premte, 15 Gusht 2014

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, priti të enjten anëtarin e Dhomës Përfaqësuese, president i Shoqatës së Miqësisë Japoni-Kosovë, Ryu Shionoya.

Ministri Hoxhaj e njoftoi Shionoya për progresin që po arrihet në Kosovë, si dhe për forcimin e vazhdueshëm të shtetësisë dhe të subjektivitetit ndërkombëtar.

Hoxhaj ka shprehur mirënjohjen e popullit dhe Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme të Japonisë për Kosovën.

Ryu Shionoya, anëtar i Dhomës Përfaqësuese, president i Shoqatës së Miqësisë Japoni-Kosovë, vlerësoi progresin që po arrihet në Kosovë, duke konfirmuar mbështetjen e mëtutjeshme për Kosovën.

Hoxhaj dhe Shionoya vlerësuan lartë marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy vendeve, duke shprehur vullnetin e dyanshëm për fuqizimin e mëtutjeshëm të raporteve dhe shkëmbimeve bilaterale.

Ministri Hoxhaj po ashtu theksoi se Kosova mund të përfitojë shumë nga Japonia në asistencë dhe ekonomi, si dhe në disa sektorë të IT-së, industrisë, etj.