E hënë, 23 Shtator 2013
Tiranë, 23 shtator – ‘Furtunë’ shkarkimesh në policinë rrugore të Shqipërisë, pas urdhrit të ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri, ku si rezultat i hetimeve të kryera nga Drejtoria e Përgjithshme e Inspektimit dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm rreth 80% të efektivit të këtij Komisariati rezultuan me shkelje në ligjshmërinë e zbatimit të detyrës.
Sipas BW, nga hetimi kanë rezultuar shkelje të rënda në ushtrimin e detyrave funksionale dhe akte abuzive me dokumentacionin nga ana e 11 oficerëve dhe 77 policëve.
Përveç masave administrative, për 4 oficerë të rolit nivelit drejtues dhe 1 oficer të rolit zbatues janë referuar materialet në Prokurori për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”
Po sot Ministri i Brendshëm ka urdhëruar anulimin e tenderit për “Shërbim transporti karoatreci, parking, ruajtje automjetesh” si dhe kontratën e nënshkruar për zbatimin e këtij tenderi nga ana e Njësisë Rajonale të Policisë Rrugore Tiranë me një subjekt privat. Ky vendim ka ardhur pas shqyrtimit të hollësishëm të procedurave të ndjekura për realizimin e tenderit dhe vënien e tij në zbatim. Në këto kushte Ministri i Brendshëm ka urdhëruar anulimin e tenderit si dhe procedimin penal të zyrtarëve përgjegjës për këto shkelje ligjore.