Ministria s’e miraton rivarrimin e eshtrave të Isa Boletinit


E martë, 13 Maj 2014
Isa Boletini

Isa Boletini

Familja Boletini që nga fundi i shkurtit të këtij viti ka caktuar 30 qershorin si ditën kur do të rivarroset paraardhësi i tyre Isa Boletini. Ka edhe një plan se si do të barten mbetjet mortore për homazhe nëpër trojet shqiptare.

“Ka gatishmëri të madhe për këtë nga Shqipëria dhe nga Kosova”, ka thënë stërnipi i heroit kombëtar, Gazmend Boletini. Por ceremoninë dhe afatin e rivarrimit nuk e përmendin zyrtarët e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Madje ky institucion nuk është i sigurt nëse do të jetë pjesë e ceremonisë.

Përderisa familja çështjen e autenticitetit të eshtrave të Boletinit e merr si punë të kryer dhe pret disa analiza shtesë, MKRS-ja vazhdon ta marrë me rezervë raportin e “Institut de medicine legale” i Strasburgut që mban datën 5 nëntor të vitit 2012. Më 15 nëntor të vitit 1998 është bërë zhvarrosja e trupave nga Mali i Zi. Sipas Gazmend Boletinit, në atë kohë Muhamet Shukriu dhe një nip i familjes, Remzi Murati, kanë shkuar së bashku në Mal të Zi.

Atje i ka shoqëruar Mulla Idriz Demiri, ish-kryetar i Bashkësisë Islame në Mal të Zi. Janë zhvarrosur eshtrat dhe janë sjellë në Mitrovicë. Në Mitrovicë eshtrat i ka pranuar Mulla Osman Murati. Ky i fundit për 14 vjet i ka mbajtur në një vend sekret. Tek më 2011 e zbuloi vendin. Më 21 korrik të atij viti i’a dorëzoi ato ish-kryetarit të Komunës, Avni Kastrati.

Të fundit