MINT jep mbështetje ndaj Grave ndërmarrëse dhe Start Up-ve


E enjte, 27 Prill 2023

PRISHTINË – Me rastin e lansimit të dy skemave të reja garantuese “Dritarja Gratë në biznes” dhe “Dritarja Startup”, nga Fondi Kosovar për Garanci Kreditore, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, ka shprehur edhe njëherë mbështetjen ndaj Grave ndërmarrëse dhe Start Up-ve, duke theksuar se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që nga fillimi ka qenë pjesë e themelimit të fondit dhe ka kontribuar në hartimin e ligjit dhe në kapitalin themeltar të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK).

FKGK me financim të vazhdueshëm nga Qeveria për mbështetjen e sektorit privat, është i përfshirë edhe si një nga instrumentet e zbatimit të suksesshëm të Politikës Industriale 2030. Gjatë vitit 2022 MINT ka subvencionuar kredi investive bizneseve vendore me shumë prej 5.5 mil euro në FKGK, nga masa 2.1 e Pakos së Ringjalljes Ekonomike dhe në këtë vit 2023 edhe 5 mil euro të tjera në FKGK për të subvencionuar kreditë e bizneseve vendore.

Ministrja Hajdari gjersa ka uruar për forcimin e mëtejmë me financim nga buxheti kombëtar dhe institucionet ndërkombëtare, është zotuar se çdo herë, do të jetë përkrah bizneseve dhe do të avokojë për adresimin dhe zgjidhjen e problemeve të tyre si tek institucionet vendore ashtu dhe ato ndërkombëtare.

“Dritarja Gratë në biznes” do të jetë një kanal i ri dhe i veçantë i cili i ofrohet gruas, për qasje dhe shfrytëzim më të lehtë, duke u ndier meritueshëm paksa më të privilegjuara, ka shtuar ministrja Hajdari, duke thënë se gratë e kanë dëshmuar në praktikë, se janë po aq të zonjat, po aq menaxhere të mira, e po aq vizionare në biznes e zhvillim, sa edhe burrat, nëse jo edhe më shumë.

Ndërsa ka komentuar edhe lansimin e dritares tjetër për Start Up-e, ministrja Hajdari, tha se kjo dritare poashtu ka rëndësi tepër të madhe dhe ndikim shumëdimensional, ekonomik, shoqëror e kombëtar, sepse ndërmarrësve të rinjë, ideuesëve për krijim biznesesh, u lehtësohet ndjeshëm zgjidhja e një problemi krucial për hapërim në botën e ndërmarrësisë.

Kjo dritare, mbërthen në vete ndikimin shoqëror, sepse vetëpunësimi e punësimi i të rinjve, kap vlera numerike aktive, ushqen stabilitet, angazhim të dobishëm e shfrytëzim të kapaciteteve njerëzore.

‘Efektet e kësaj dritareje, janë të shumta dhe të shëndetshme në nivel kombëtar, sidomos në këto kohë kur pasuria më e madhe e Kosovës – që është rinia jonë -, ka një motiv të shtuar për largim nga vendi dhe ftohet nga anë e kënd botës për të emigruar, pikërisht për vlerat që bartë, prandaj ne e kemi për detyrë t’i bëjmë e t’ua mundësojmë të rinjve të jenë kontribues në Republikën tonë, për çka sinqerisht po përpiqemi e angazhohemi çdo ditë’ ka shtuar ministrja Hajdari.

Ministrja Hajdari, tha se hapja e dy dritareve të reja nga Fondi Kosovar për Garanci Kreditore, na arsyeton qëllimin nismëtar të krijimit të këtij Fondi si dorëdhënës e ndihmues i rëndësishëm për bizneset, fakt ky që na gëzon sepse do të vijojë të ketë vulë ndikuese edhe në rritjen e zhvillimin e shtetit tonë.

Etiketa: , , ,
Të fundit