Mitrovicë: Identifikohen 175 vetura pa doganë


E premte, 22 Maj 2015

Njësia rajonale e auto-krimeve në Mitrovicë, ka identifikuar 175 vetura të çmontuara, dokumentacioni i të cilave nuk figuron në sistemin e rregullt të obligimeve doganore.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka bërë të ditur se ky plan operativ është zbatuar gjatë dy ditëve të fundit përmes kontrollit në disa lokacione të ndryshme, ku kryesisht ushtrohet veprimtari e shitblerjes së automjeteve dhe pjesëve të tyre.

“Të gjitha këto vetura të identifikuara dyshohet të jenë importuar nga shtetet evropiane, dhe po ashtu dyshohen për shmangie të obligimeve doganore. I gjithë dokumentacioni i këtyre veturave të hasura tek personat në posedim, u është dorëzuar autoriteteve doganore për procedurë të mëtejme”, ka thënë Zahiti.

Sipas tij, hetuesit policorë do të vazhdojnë hetimet drejt verifikimit të prejardhjes së këtyre veturave, përkatësisht statusin e tyre, shtetet prej nga kanë ardhur etj.

Etiketa: