Mjekja palestineze që humbi 9 fëmijët e saj në Gaza mbërrin në Itali me fëmijën e fundit të mbijetuar


E enjte, 12 Qershor 2025

Mjekja palestineze Alaa Al-Najjar, e cila humbi 9 nga 10 fëmijët e saj dhe bashkëshortin e saj në sulmin izraelit në Gaza më 24 maj, ka mbërritur në Itali me djalin e saj të mbijetuar Adem dhe disa palestinezë, transmeton Anadolu.

Sipas një deklarate me shkrim nga Ministria e Punëve të Jashtme italiane, 70 persona, përfshirë mjeken palestineze Al-Najjar dhe djalin e saj Adem, të cilët kanë nevojë për trajtim, 17 prej të cilëve u plagosën dhe 53 prej të cilëve shoqërues, mbërritën në Itali në mbrëmje me 3 aeroplanë transporti C-130 të Forcave Ajrore Italiane.

Theksohet se aeroplanët, të cilët transportuan edhe ekipet mjekësore, u ngritën nga aeroporti Eliat në Izrael me iniciativën e autoriteteve diplomatike italiane dhe mbërritën në aeroportet e Milanos Linate, Verona dhe Practica di Mare.

Zëvendëskryeministri dhe ministri italian i Punëve të Jashtme, Antonio Tajani, priti në aeroport mjeken Al-Najjar dhe djalin e saj Adem, të cilët mbërritën në aeroportin e Milanos Linate.

“Po përpiqemi të sjellim fëmijë në gjendje të rëndë në Itali për trajtim dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Ademi është një prej tyre. Ademi do të marrë trajtim në spitalin ‘Milan Niguarda’. Pavarësisht mundësive të tjera që ofrohen, siç e ka thënë disa herë nëna e tij (Al-Najjar), edhe ata si palestinezët e tjerë që janë detyruar të largohen nga Gaza, kanë zgjedhur të vijnë në vendin tonë”, tha ministri Tajani.

Ai theksoi se lufta duhet të mbarojë dhe shtoi se “ne u kemi thënë ‘mjaft’ bombardimeve”. “Nuk duam të shohim fëmijë të vdesin. Ata nuk janë ushtarë, janë viktima të pafajshme. Duhet të respektojmë ligjin humanitar. Po bëjmë gjithçka që mundemi nga një perspektivë humanitare, politike dhe diplomatike”, deklaroi Tajani.

Tajani deklaroi se luftërat sjellin fatkeqësi dhe u shpreh se “Pashë tmerrin e luftës në sytë e nënave dhe fëmijëve. Ato thanë ‘A mund të qëndrojmë në Itali?’ Jam i lumtur që këta fëmijë mund të gjejnë pak qetësi me familjet e tyre në vendin tonë”.

Bëhet e ditur se edhe nëna Al-Najjar pas mbërritjes së tyre në Milano falënderoi gjithashtu Italinë që u dha atyre këtë mundësi.

– Al-Najjar tha se u largua nga Gaza me zemër të thyer

Në një intervistë të botuar në gazetën “La Repubblica” para se të mbërrinte në Itali, mjekja palestineze Al-Najjar ka deklaruar se ishte me zemër të thyer kur u largua nga Gaza.

“Po lë pas gjithçka që është e rëndësishme për mua. Bashkëshortin tim, fëmijët e mi, spitalin ku punoja, punën time dhe pacientët e mi. Dy vjet më parë, Gaza ishte një vend i përsosur për të rritur fëmijë. Tani njerëzit po vdesin nga uria. Nëse nuk vdesin nga uria, po humbasin jetën nga bombat. Ne thjesht duam të jetojmë në paqe. Nuk ka mbetur asgjë në Gaza”, tha ajo.

Vihet në dukje se Al-Najjar ka thënë se donin t’i jepnin djalit të saj Adem një jetë të mirë në Itali dhe se u ishte thënë se do të kishin një apartament në Milano.

Më 24 maj Alaa al-Najjar, një mjeke palestineze që punonte në spitalin “Nasser” në Khan Younis në Rripin jugor të Gazës, humbi 9 nga 10 fëmijët e saj në sulmin izraelit.

Në një deklaratë më 29 maj, ministri Tajani njoftoi se ata ishin të gatshëm të pranonin Ademin e mbijetuar.

Të fundit