E martë, 15 Mars 2016
Rreth 12 mijë refugjatë janë bllokuar në baltë dhe mbeturina në kampin për refugjatë në Idomeni, në kufirin Maqedoni-Greqi. Në një video të kanalit televiziv “Ruptly” shihen fëmijë të shtrirë në shinat e trenit, të cilët mbajnë parulla, ku shkruhet: “Të hapen kufijtë” dhe “Ndoshta jemi fëmijë dhe nuk dimë shumë, por besojmë se sjellja e dikujt pa respekt, sepse ka lindur diku tjetër në planet, është racizëm”.
Organizata “Mjekët pa kufij” si dhe mediat, e përshkruajnë situatën e orëve të fundit si më tragjiken e të gjithë periudhës së shpërthimit të krizës së refugjatëve, duke shprehur shqetësimin sidomos për shëndetin e tyre, pasi është vërtetuar një rast me hepatitin e tipit A. Ka dyshime për një rast të dytë, si dhe për një tjetër rast me leptospirozë, sëmundje infektive që vjen si shkak i kushteve të këqija higjienike.
Shërbimet shëndetësore po mundohen t’i përmirësojnë kushtet higjienike. Është tronditëse edhe skena e refugjates së re nga Siria, Nur Al Izam, e cila pas një kohe të gjatë, arriti të luajë në piano në mes baltës në Idomeni. “Shpresoj që do të kemi paqe në Siri dhe njerëzit do të mund t’i kalojnë kufijtë dhe të jetojnë të lirë dhe askush më të mos vuajë”, tha Nur për gazetarët. Pianon në kamp e ka sjellë artisti kinez Aj Ajvevej, i cili është më afër refugjatëve në kamp.
Refugjatët: Do të hyjmë në Shqipëri
Organizata e të drejtave të njeriut dhe ekspertë ligjorë po shprehin shqetësimin për mundësinë e kalimit të refugjatëve sirianë dhe irakianë nga Greqia në Shqipëri. Tani që rruga kryesore e Ballkanit për në Evropë, është bllokuar nga mbyllja e kufijve, ky kalim është zgjidhje për refugjatët. “Ne po dëgjojmë që refugjatët në Idomeni dhe zona të tjera në Greqi po flasin për të kaluar përmes Shqipërisë, megjithëse e kuptojnë që është një rrugë më e vështirë. Përveç krimit të organizuar, rreziku shtohet pasi ka më pak agjenci ndërkombëtare për të ndihmuar me strehim, ushqime apo shërbime”, tha një intervistë për Zërin e Amerikës, Iman Aoun i organizatës “Save the Children. Ai ka nënvizuar se “Save the Children”, por edhe organizata të tjera po diskutojnë për vendosjen e ekipeve në Shqipëri, të cilat do të shërbejnë për të evituar që refugjatët të përdoreshin nga trafikantë të qenieve njerëzore të lidhur me grupe shqiptare të krimit të organizuar.
Mateo Albertini, një ekspert i grupeve kriminale italiane dhe shqiptare bie dakord me shqetësimet e grupeve të të drejtave të njeriut se “ka rreziqe për abuzim”. Ai beson se shumë do të ketë mbyllje të mëtejshme të kufijve. Kjo do ta bënte situatën edhe më të vështirë dhe mbërritja e imigrantëve në Shqipëri mund të rigjallëronte rrugën e kontrabandës përgjatë Adriatikut duke lidhur grupet italiane dhe shqiptare të krimit të organizuar.
BE-ja 50 milionë euro ndihmë Maqedonisë
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Koçijançiç njoftoi për Alsat M se Bashkimi Evropian ka siguruar 50 milionë euro ndihmë për Maqedoninë për ballafaqimin me krizën e emigrantëve. Deklarata me shkrim tregon rregullat sipas të cilave Komisioni Evropian transferon para për këtë qëllim janë shumë të ashpra.
“Një çështje e rëndësishme për të cilën autoritetet duhet të jenë të vetëdijshëm është se rregullat rreth asaj se si ne i përdorim paratë e taksapaguesve janë shumë të ashpra. Ne paratë e Bashkimit Evropian nuk i transferojmë direkt në llogaritë e qeverive, por i paguajmë sipas qëllimit, mbështesim apo financojmë logjistikë ose aktivitete bazuar në nevojat e identifikuara”, u shpreh Maja Koçijançiç. Në këtë deklaratë gjithashtu thuhet se që nga fillimi i krizës së refugjatëve Komisioni Evropian deri më tani ka ndarë 16 milionë euro për Maqedoninë, për përmirësimin e sistemeve të menaxhimit të kufirit dhe gjendjes së emigrantëve. Nga Komisioni thonë edhe pse kanë pritur gjatë kohë nga autoritetet maqedonase të dërgojnë një vlerësim për nevojat, Komisioni me një masë të veçantë ka siguruar 10 milionë euro që do të përdoren për të përmirësuar kapacitetin e policisë kufitare dhe kostot shtesë që i ka shteti./shekulli/
Etiketa: Greqia, Refugjatët