Mot me diell gjatë ditëve të Bajramit


E mërkurë, 15 Korrik 2015

Nga dita e enjte deri të dielën do të mbajë mot kryesisht me diell, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, njoftoi Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

Temperaturat më të ulëta do të lëvizin ndërmjet 13-16 gradë Celsius, kurse maksimalet e ditës ndërmjet 29 dhe 33gradë Celsius.

Këto masa të nxehta të ajrit kanë origjinë nga veriu i Kontinentit dhe do të jenë të qëndrueshme edhe për disa ditë. Do të fryjë erë nga veriu dhe veriperëndimi me shpejtësi 1-7m/s.

Temperaturat e “larta“që po mbajnë këto ditë u përgjigjen gjatësive dhe gjerësive gjeografike të vendit tonë, do të thotë se janë shumë normale kur kemi parasysh muajin dhe stinën që jemi, thuhet në njoftimin e UHMK-së.

Shqipëria do të dominohet nga një mot me diell dhe me vlerat e maksimaleve në rritje. Temperaturat minimale përgjatë vijës bregdetare do të lëvizin nga 22gradë në Velipojë deri në 25 gradë në Sarandë, kurse maksimalet e ditës do të lëvizin nga 37gradë në jug deri 38gradë Celsius në veri të vendit.

Sa i përket Evropës, IHMK njofton se temperaturat e larta vazhdojnë të shënohen në Gadishullin Iberik dhe Gadishullin e Ballkanit. Temperatura të larta rreth 39 gradë celsius do të jenë në Spanjë. Edhe Evropa Juglindore dhe ajo Qendrore do të dominohet nga kthjellime dhe vranësira të shpërndara. Një mot krejtësisht ndryshe do të dominojë në Evropën Veriore dhe atë Lindore, ku do të ketë rrebeshe shiu dhe erëra të forta, kurse ishujt britanikë do të shoqërohen me riga shiu dhe me temperatura maksimale nën 26 gradë Celsius. Gjatë parashikimit për Evropën IHMK është bazuar në imazhet satelitore dhe parashikimet numerike, thuhet në njoftim.

Etiketa:
Të fundit