E shtunë, 16 Gusht 2014
Motorola ka vendosur që të organizojë një event më 4 shtator, ku do të bëjë një nga prezantimet më të bujshme të kohëve të fundit. Kompania ka dërguar ftesat dhe ka bërë të ditura detajet në lidhje me eventin. Në këtë event, Motorola do të prezantojë orën inteligjente Moto 360, si dhe telefonat inteligjentë Moto G2 dhe Moto X+1. Përveç këtyre, një kufje me bluetooth do të prezantohet gjatë eventit.
Që me 18 mars u njoftua se Motorola po krijon një orë inteligjente, që do të quhet Moto 360. Ora është shfaqur në një seri fotosh në internet. Thuhet se kjo orë do të kushtojë rreth 249 euro, megjithatë duhet të lëmë kompaninë Motorola që të thotë fjalën e fundit.
Telefoni inteligjent Moto X+1 do të prezantohet gjithashtu gjatë këtij eventi. Ky është pasardhësi i telefonit inteligjent Moto X. Thuhet se ai do të ketë procesorin Qualcomm Snapdragon 801 me katër bërthama me shpejtësi 2.5GHz, së bashku me 2GB RAM. Raportet e mëparshme na sugjeronin që ai do të ketë ekran me prekje 5.1 ose 5.2 inç me rezolucion 1080 pikselë, një kamera të pasme 12 megapikselë, dhe bateri me kapacitet 2,900 mAh.
Sa i përket telefonit inteligjent Moto G2, thuhet se do të dalë në treg me 10 shtator dhe do të kushtojë 250 euro. Do të jetë një pajisje me dy vende për karta SIM, me ekran 5 inç me rezolucion 720 pikselë. Ky telefon do të ketë gjithashtu procesorin Snapdragon 400 me katër bërthama Cortex-A7 me shpejtësi 1.2GHz dhe kartën grafike Adreno 305 GPU, 1GB RAM, si dhe kamera të pasme 8 megapiskelë. Telefoni njihet gjithashtu me emrin Moto G+1, por ne do të kuptojmë emrin e tij final më 4 shtator.