E mërkurë, 11 Qershor 2025
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reaguar ndaj intensifikimit të rasteve të ndalimeve dhe arrestimeve të qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe, duke e cilësuar këtë praktikë si arbitrare dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Në një komunikatë zyrtare, MPJD ka shprehur shqetësim për situatën dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës – përfshirë ata që jetojnë në mërgatë – që të shmangin kalimin përmes pikëkalimeve kufitare me Serbinë.
Ministria inkurajon përdorimin e rrugëve alternative për hyrje-dalje nga Kosova.
“Rasti i fundit i ndalimit të ish-punonjësit të Policisë së Kosovës, z. Spahiu në pikën kufitare ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë është dëshmi e mëtejme e praktikave të papranueshme dhe destruktive të Serbisë, që bien në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe me standardet bazë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, tha MPJD në reagimin publik.
MPJD thekson se këto veprime jo vetëm që janë të papranueshme, por përbëjnë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.
Ministria njofton se është në kontakt të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë dhe partnerët ndërkombëtarë për të adresuar këtë situatë dhe për të garantuar të drejtat dhe sigurinë e qytetarëve të Republikës së Kosovës.