MSA, themeli i të ardhmes evropiane të Kosovës


E martë, 2 Korrik 2013

Prishtinë, 2 korrik – Kryeministri Hashim Thaçi tha sot se suksesi në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit do të reflektohet në rritjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit. Duke folur në takimin e Këshillit Kombëtar për Zhvillim ekonomik, kryeministri Thaçi tha se kjo marrëveshje është themeli mbi të cilin do të ndërtohet e ardhmja evropiane e Republikës së Kosovës.

Kreu i ekzekutivit Hashim Thaçi tha sot se Republika e Kosovës tani është edhe më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Duke folur për hapjen e negociatave për Marrëveshjen e stabilizim Asociimit mes BE-së dhe Kosovës, ai tha se “kjo marrëveshje është themeli mbi të cilin do të ndërtohet e ardhmja evropiane e Republikës së Kosovës”.

Me këtë rast kryeministri shprehu mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan dhe që do të kontribuojnë në përmbylljen me sukses të kësaj marrëveshjeje në një afat rekord.

“Marrëveshja si e tillë, përveç çështjeve politike, përfshin edhe ato ekonomike, pra çështjet rreth zhvillimit ekonomik dhe tregtisë. Prandaj, suksesi në implementimin e kësaj marrëveshjeje do të reflektohet në ngritjen e cilësisë dhe sigurisë së mjedisit afarist për të gjithë investitorët, qofshin vendorë, qofshin të huaj. Po ashtu, ky sukses do të reflektohet në rritjen dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve”, tha kryeministri në mbledhjen e këshillit kombëtar për zhvillim ekonomik.

Progres tjetër që Qeveria e Republikës së Kosovës ka realizuar në rrafshin ekonomik është edhe anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Bankën Evropiane për Investime, tha kryeministri Thaçi.

Qeveria e Republikës së Kosovës, sipas tij, ka qenë jashtëzakonisht e suksesshme edhe në aspektin makroekonomik, përfshirë këtu qëndrueshmërinë makrofiskale, dhe në këtë aspekt, kryeministri Thaçi tha se Kosova do të vazhdojë edhe këtë vit të shënojë rritjen më të madhe ekonomike në rajon.

Në këtë takim ai u angazhua edhe për përmirësimin e mjedisit afarist, dhe në fusha të tjera.

Etiketa: ,
Të fundit