E mërkurë, 13 Maj 2026

Me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Sllovakisë, Juraj Blanar, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, mori pjesë sot në Takimin Ministror të Grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” në Bratislavë, transmeton Anadolu.
Grupi “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” përbëhet nga Italia, Austria, Greqia, Çekia, Sllovakia, Kroacia dhe Sllovenia, dhe u formua me qëllim përshpejtimin e procesit të pranimit dhe integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Në takim u shkëmbyen pikëpamje mbi sfidat aktuale të politikës së zgjerimit në kontekstin aktual gjeopolitik, bashkëpunimin strategjik me rajonin, zhvillimin ekonomik dhe sigurinë. Diskutimet u dominuan nga mbështetja e fortë për një dinamikë të re dhe të forcuar të procesit të pranimit si dhe nga nevoja për vendime të guximshme dhe strategjike drejt zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Në fjalimin e tij, Mucunski theksoi rëndësinë e përshpejtimit të procesit të zgjerimit, me një fokus të veçantë në heqjen e pengesave për tregtinë e papenguar me BE-në në kontekstin e rregulloreve evropiane që ngadalësojnë aksesin në tregun e brendshëm të Unionit.
Ai theksoi se koncepti i integrimit gradual duhet të përmirësohet më tej me iniciativa të reja që do të mundësojnë pjesëmarrje më aktive të vendeve të rajonit në krijimin e politikave të Bashkimit Evropian dhe do të sjellin përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët.
Njëkohësisht, në prezantimin e tij, ministri Mucunski i kushtoi vëmendje të veçantë integrimit evropian të vendit, Planit të Rritjes dhe angazhimit ndaj reformave si parakusht për shfrytëzimin e fondeve të reja nga Unioni.
Ai foli edhe për rëndësinë e projekteve infrastrukturore, duke theksuar se Maqedonia e Veriut është një pikë kryqëzimi e Korridoreve Pan-Evropiane 8 dhe 10, të cilat kanë rëndësi të konsiderueshme ekonomike, sigurie dhe gjeostrategjike për rajonin dhe Evropën.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
