Muriq më në fund stërvit me Kosovën


E mërkurë, 14 Nëntor 2018

Arijanet Muriq mori disa herë duartrokitjet e rreth 50 shikuesve të pranishëm në tribunën perëndimore të stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Stërvitja e së martës ishte e para e tij në shoqëri e mjedis të ri dhe e dyta e përfaqësueses para ndeshjeve të fundit në kuadër të Ligës së Kombeve.

Portieri dy metra i lartë i Manchester Cityt u duartrokit për disa pritje që bëri. E duartrokitjet nuk pritet t’i mungojnë as në ndeshje të Kosovës në rast se merr lejen e FIFA-s dhe besimin e trajnerit Bernard Challandes.

Ish-portierit të Shpresave (U21) të Malit të Zi i duhet leja e FIFA-s për ndërrim të përfaqësueses, por në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) presin ta marrin atë para ndeshjes me Maltën, që luhet të shtunën në Ta’Qali. Më pas Kosova mbyll ciklin e fazës së grupeve në Ligën e Kombeve – Liga D, me ndeshjen kundër Azerbajxhanit në Prishtinë. Kjo ndeshje luhet më 20 nëntor dhe aty pritet të përcaktohet fituesi i grupit. Kosova aktualisht kryeson Grupin 3 me tetë pikë, dy më shumë se Azerbajxhani në vend të dytë, njofton Koha Ditore.

Etiketa: , ,
Të fundit