Mustafa: Gjuha luajti rol në progresin tonë historik


E hënë, 17 Gusht 2015

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në hapjen e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa e ka quajtur Seminarin ambasador shumë të rëndësishëm të komunikimit kulturor të Kosovës me botën, duke vlerësuar sidomos vazhdimësinë kohore të organizimit, dimensionin e hulumtimeve shkencore të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, si dhe përmasat dhe pjesëmarrjen e studiuesve nga mbarë bota.

Fjala e plotë e kryeministrit Mustafa në hapje të Seminarit:

E nderuara presidente e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga,

E nderuara Kryesi e Seminarit,

I nderuari dekan i Fakultetit të Filologjisë,

Të nderuar ministra,

I nderuar kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës,

I nderuari Drejtor i Nderit i këtij Seminari, akademik Idriz Ajeti, me të cilin ne mburremi të gjithë dhe krenohemi për punën dhe kontributin që e ke dhënë dhe po e jep.

Dëshiroj që të gjithë juve t’iu përshëndes sot në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, t’iu përgëzoj për një punë shumë të rëndësishme që po e bëni, dhe poashtu t’iu uroj suksese në këtë Seminar.

Tanimë, mund të themi se ky Seminar është bërë një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore dhe shkencore të Kosovës, dhe kjo si rezultat i vazhdimësisë kohore të organizimit, dimensionit të hulumtimeve shkencore të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, si dhe përmasave dhe pjesëmarrjes së studiuesve nga mbarë bota dhe të gjithë atyre që po e japin kontributin e tyre në këtë Seminar.

Aktivitetet të cilat zhvillohen në këtë Seminar, aktualiteti i temave të prezantuara, si dhe karakteri gjithëpërfshirës i tyre, padyshim se e bëjnë Seminarin një ambient shumë të përshtatshëm që një gjuhë, letërsi dhe kulturë, në këtë rast shqiptare, të shtjellohet, dhe të vlerësohet nga këndvështrime të ndryshme të ndërlidhura ngushtë me gjuhët, kulturat dhe letërsinë e vendeve të cilat ju i përfaqësoni këtu dhe të vendeve të tjera.

Në të gjitha këto dekada të funksionimit të tij, Seminari ka promovuar shkencën dhe kulturën shqiptare, e së fundi është bërë një prej ambasadorëve shumë të rëndësishëm të komunikimit kulturor të Kosovës me gjithë botën.

Rrjedhimisht, gjuha dhe letërsia, si dhe kultura e kombeve dhe e njerëzimit, na bëjnë të kuptojmë dhe vlerësojmë botën më mirë, dhe na bëjnë që ne të komunikojmë shumë më afër njëri me tjetrin.

Edhe pse gjuha jonë është një gjuhë e vjetër, ajo prapë se prapë po evoluon me botën, me shkencën, me zhvillimet, po merr nga kulturat tjera dhe nga gjuhët tjera, dhe po u jep mjaft shumë kulturave tjera.

Gjuha shqipe ka luajtur rol shumë të rëndësishëm në progresin tonë historik, politik dhe ekonomik, si dhe në atë social, prandaj një gjë është e sigurt, pa gjuhën shqipe të ruajtur dhe të kultivuar, kështu siç e kemi bërë, kombi ynë nuk do të mund të qëndronte përball valëve dhe historisë me të cilën ne jemi ballafaquar.

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Pjesëmarrës të këtij seminari.

Shumica nga ju keni bartur për shumë vjet organizimin e këtij Seminari, duke mos u dorëzuar përpara vështirësive, duke u vënë në kërkim të rrugëve dhe mënyrave për të mbajtur gjallë Seminarin.

Dëshiroj kësaj radhe të falënderoj edhe shtetin shqiptar dhe ambasadorin e Shqipërisë që është së bashku këtu me ne, për kontributin dhe mbështetjen e tyre të përhershme dhënë Seminarit.

Me këtë rast theksoj se Qeveria e Republikës së Kosovës do të bëjë gjithçka që vendi ynë, Kosova, të jetë pjesë e rëndësishme e botës shumëkulturore. Prandaj, zhvillimet tona do ta qojnë përpara edhe këtë pjesë, si pjesë të integrimeve evropiane dhe integrimeve globale.

Në përfundim, dëshiroj të falënderoj dhe të përkujtojmë me respektin më të thellë, të gjitha ata që kanë dhënë kontributin e tyre për këtë Seminar, studiuesit shqiptarë dhe studiuesit tjerë nga bota, që për shumë dekada, me punën e tyre, kanë kontribuar që gjuha, letërsia dhe kultura shqiptare të ndriçohet, të avancohet, dhe që vlerat shqiptare të shfaqen dhe të komunikohen ndërmjet nesh dhe me botën në përgjithësi.

Ju falënderoj për këtë pjesëmarrje dhe ju uroj shumë suksese!

Etiketa: ,
Të fundit