E enjte, 12 Shkurt 2015
Prishtinë – Mustafa, ka thënë sot se Kosova është në gjendje që ta përballojë kthimin e njerëzve që kanë migruar dhe se nuk ka asnjë arsye që procesi i migrimit të shfrytëzohet për të treguar se vendi ynë nuk është stabile, apo se njerëzit nuk kanë siguri të plotë në Kosovë.
“Ne do të ju ofrojmë sigurinë e plotë, por ne nuk mund ta zgjidhim problemin e punësimit dhe problemet tjera për një periudhë të shkurtë kohore. Programi ynë qeveritar, të cilin do ta aprovojmë javën e ardhshme, si dhe masat të cilat ne jemi përcaktuar t’i marrim në nxitjen e zhvillimit ekonomik, sidomos në fushën e bujqësisë dhe në fushat e tjera, mundësojnë që ne në mënyrë stabile dhe në mënyrë të qëndrueshme, të sigurojmë kushte që njerëzit të jetojnë këtu, të kenë perspektivë këtu, dhe me vendet e BE-së të ndërtojmë partneritet afatgjatë”, ka thënë kryeministri Isa Mustafa, raporton Gazeta Tribuna.
Kryeministri Mustafa e ka bërë këtë deklaratë pasi ka treguar për takimet zyrtare që i ka zhvilluar në Berlin e Bruksel e ku tema e migrimit të kosovarëve ka qenë e pashmangshme.
Mustafa ka thënë në të gjitha takimet e zhvilluara është theksuar nevoja për përkrahjen e vendeve të BE-së për nënshkrimin e kontratave për punësim sezonal dhe Kosova ka nevojë përkohësisht që t’i zgjidh këto probleme përmes një partneriteti të tillë, e jo përmes migrimit të parregullt.
Ditëve të fundit, megjithatë kemi një rënie të trendit të ikjeve jashtë vendit./Gazeta Tribuna/