Mustafa: Kemi përmbushur kriteret për vizat


E mërkurë, 20 Prill 2016

Me një status në Facebook drejtuar qytetarëve të Kosovës, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka thënë se Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së lidhur me kriteret për liberalizimin e vizave.

Sipas Mustafës, meqenëse Kosova ka përmbushur kërkesat për liberalizim vizash është në dorën e BE-së që ta caktojë datën e rekomandimit.

Lexojeni të plotë postimin e Mustafës në Facebook:

Qytetarë të nderuar

E di që liberalizimi i vizave është shumë i rëndësishëm për ju. Kosova përmbushi të gjitha kërkesat e BE-së, lidhur me kriteret për liberalizim dhe presim që institucionet e BE-së të marrin vendim për të rekomanduar liberalizimin e vizave për vendin tonë.

Kosova, po ashtu, ka treguar përkushtim të fortë për ndaljen e plotë të migrimit të qytetarëve të saj në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian dhe ka marrë masa për kthimin dhe riatdhesimin e një numri shumë të madh të atyre që u shpërngulën.

Qeveria po punon pa ndërprerë në krijimin e një ambient që gjeneron zhvillim dhe punësim si dhe për adoptimin e politikave ekonomike dhe sociale, të cilat krijojnë perspektivë për jetë për të gjithë qytetarët.

Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me të gjitha shtetet e BE-së, me ato që e kanë pranuar shtetin tonë por edhe me ato që nuk e kanë pranuar, që ti informojmë për rëndësinë politike dhe ekonomike që ka liberalizimi i vizave për qytetarët tanë dhe për bizneset, sidomos tani kur po e imlementojmë MSA-në.

Jemi në kontakte dhe në bashkëpunim me institucionet më të larta të BE-së.

Në këtë periudhë institucionet e Kosovës mund të flasin për përmbushjen e kritereve, kurse është në kompetencë të organeve të BE-së që vetëm ato të caktojnë datën e rekomandimit, përkatësisht të liberalizimit. Po punojmë së bashku me institucionet e BE-së, andaj besojmë që liberalizimi do të ndodhë sa më shpejtë. IM

Etiketa: , ,
Të fundit