Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Mustafa në zor, fton në dialog liderët e tri partive opozitare

Prizren Post | 18:35 - 04.12.2015

Prishtinë – Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa sot ka njoftuar opinionin se iu ka dërguar ftesë zyrtare drejtuesve të tri partive opozitare në Kuvendin e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në konferencën e sotme të paparalajmëruar ka njoftuar opinionin se iu ka dërguar ftesë zyrtare drejtuesve të tri partive opozitare në Kuvendin e Kosovës, Visar Ymerit nga Lëvizja Vetëvendosje, Ramush Haradinajt nga AAK-ja dhe Fatmir Limajt nga Nisma për Kosovën, si dhe zëvendëskryeministrit të parë, njëherësh kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçit që të takohen të hënën më 7 dhjetor, për të diskutuar krizën aktuale politike dhe për të gjetur rrugëdaljen nga kjo situatë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Kam propozuar që takimi të zhvillohet në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës më 7 dhjetor 2015 të hënën e ardhshme në ora 14:00, apo në ndonjë datë dhe kohë tjetër, që mund t’iu përshtatet partive opozitare, që të takohemi së bashku për t’i trajtuar të gjitha çështjet e ngritura nga ana e tyre lidhur me këto dy Marrëveshje. Për këtë takim unë jam konsultuar edhe me Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe po ashtu kam informuar edhe partnerët tanë ndërkombëtarë”, tha kryeministri Mustafa.

Sipas tij, kjo ftesë është bërë në vazhdën e ftesave dhe gatishmërisë së vazhdueshme për dialog me të gjithë faktorët politikë në kuadër të institucioneve të Republikës së Kosovës.

“I shqetësuar me situatën aktuale dhe i përkushtuar për gjetjen e një zgjidhjeje sa më të shpejtë në interes të qytetarëve dhe të mbarëvajtjes së punës së institucioneve, i kam ftuar zyrtarisht që së bashku të ulemi dhe t’i trajtojmë të gjitha çështjet e ngritura nga spektri opozitar lidhur me Marrëveshjen për Parimet Themelore për Themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe Marrëveshjen për shënimin e kufirit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi. Jam i bindur thellë se, në rrugën e ndërtimit të shtetit tonë, ajo që na ndan është shumë më e vogël përballë asaj që na bashkon, për një Kosovë demokratike, të zhvilluar ekonomikisht, ku të gjithë qytetarët do të kenë siguri, stabilitet dhe perspektivë, për një të ardhme euroatlantike, në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat e kanë ndihmuar dhe po e ndihmojnë pavarësinë dhe ndërtimin e shtetit tonë demokratik. Puna jonë e përbashkët për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave dhe thellimin e reformave demokratike, së shpejti do të vlerësohet nga Bashkimi Evropian dhe në ditët në vijim, presim të marrim raport pozitiv në këtë proces” thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Kryeministri thekson se kriza aktuale duhet të zgjidhet në mënyrë që Kosova të vazhdojë të konkretizojë dhe zbatojë planin për zhvillimin ekonomik dhe social, pas miratimit të Projektligjit për Investime Strategjike, si dhe fillimit të projektit për ndërtimin e “Kosovës së Re”.

Kreu i qeverisë kosovare theksoi se Kosova po ashtu ndodhet në fazën finale të transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur të Kosovës, prandaj, për ta arritur këtë nevojitet konsensus i gjerë dhe punë e përbashkët mes pozitës dhe opozitës.

“Për realizimin e këtyre sfidave dhe objektivave, në ndërtimin e shtetit tonë, nga të gjithë përfaqësuesit politik në pozitë dhe në opozitë, qytetarët e Republikës së Kosovës presin t’i lëmë anash dallimet tona dhe të punojmë bashkërisht” deklaroi kryeministri Mustafa.

Ai shtoi se Qeveria ka mirëpritur vendimin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga për ta proceduar Marrëveshjen për Bazat Themelore për Themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese, në mënyrë që kjo Gjykatë të vlerësojë nëse kjo marrëveshje është në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe se, si kryeministër i vendit është zotuar se do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, si arbitër përfundimtar i vlerësimit kushtetues të gjitha akteve juridike.

“I kam siguruar dhe i siguroj se ky Asociacion mund të bëhet vetëm në përshtatshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me ligjet e Kosovës, ashtu siç është përcaktuar edhe me Marrëveshje. Besoj se të gjithë ne, e kujtojmë dhe pajtohemi se obligimi për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, derivon nga Ligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë Ndërkombëtare për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, e cila Marrëveshje është ratifikuar me Ligj në vitin 2013” ka deklaruar Mustafa.

Lidhur me Demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, kryeministri Mustafa tha se Qeveria e Kosovës është e gatshme të angazhojë ekspertë ndërkombëtarë që së bashku me përfaqësuesit e Komisionit Shtetëror dhe përfaqësuesit e opozitës, do të kenë qasje të plotë në procedurën dhe tërë dokumentacionin e shfrytëzuar, lidhur me shënimin e kësaj vije kufitare, për t’u siguruar lidhur me mbarëvajtjen e këtij procesi.

Natyrisht ky proces, shtoi kryeministri Mustafa, do të realizohej në bashkëpunim edhe me Malin e Zi, e cila është palë në Marrëveshje, dhe deri në përmbylljen e këtij procesi, Qeveria nuk do të procedonte me ratifikimin e Marrëveshjes në Kuvendin e Republikës së Kosovës.


Etiketa:
Arivisti Company