E martë, 10 Maj 2016
Prishtinë – Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka paralajmëruar që shumë shpejt do ta themelojnë edhe Forcën e Armatosur të Kosovës, ndonëse nuk ka bërë të ditur nëse është marrë vesh me përfaqësuesit serbë në Kuvendin e Kosovës.
“Po punojmë për krijimin e ushtrisë së Kosovës që do jetë ushtri e nivelit evropian dhe e pranuar në NATO”, kishte thënë ditë më parë kryeministri Mustafa.
Por, ndryshe mendojnë përfaqësuesit e Listës Serbe, të cilët thonë se ende askush nuk ka biseduar me ta rreth formimit të Forcave të Armatosura të Kosovës. Madje, i quajnë joserioze deklaratat e politikanëve se shpejt do të ndodhë formimi i FAK-ut, përderisa nuk ka asnjë bisedë serioze rreth kësaj çështjeje me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, në Kuvend.
Ushtria e Kosovës do të formohet
Edhe zëvendësministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa, Bajram Gecaj, është i bindur në themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Ai i ka thënë gazetës “Zëri”, se megjithatë për këtë duhet të merren vesh me deputetët e komuniteteve në Kuvendin e Kosovës.
“Ushtria e Kosovës do të formohet në këtë apo atë mënyrë. Se kur do të ndodhë kjo është vështirë të thuhet, pasi që për një çështje të tillë duhet të merremi vesh edhe me deputetët nga komunitetet. Unë besoj se në këtë çështje do të kemi konsensus të përgjithshëm nga të gjitha forcat politike shqiptare”, ka thënë Gecaj, duke shtuar se ende nuk ka asgjë konkrete rreth qëndrimit të Listës Serbe nëse do ta përkrahë themelimin e FAK-ut apo jo.
Etiketa: Forcat e Armatosura të Kosovës, Isa Mustafa, Kosovë, ushtria