E shtunë, 28 Qershor 2014
Pasi që ka përmendur disa parregullsi shumë të vogla (të cilat janë identifikuar), zv/ministri Mustafa tha se informacionet flasin për një proces shumë të mirë, ndërsa tha se gjatë javës së ardhshme do të përpunohen të gjitha raportet që vijnë nga qendrat e testimit.
Mustafa përmendi faktin se edhe pjesës së dytë të Testit të Maturës i janë nënshtruar rreth 46 mijë maturantë në 390 qendra të testimit në gjithë Kosovën, të cilat për kryetarë të komisioneve kanë pasur profesorët nga universitetet publike, ndërsa zyrtarët e MAShT kanë qenë ndihmës të tyre.
“Raportet fillestare flasin se kemi pasur një vijueshmëri të procesit shumë të mirë në raport me atë që e kemi pasur para dy javësh dhe këtë po e themi duke u nisur edhe nga fakti se në shumicën e shkollave (në mbi 95 për qind të shkollave), raportet flasin që kanë ekzistuar kushtet për mbajtjen e testit të maturës, ka pasur rregull sa i përket disiplinës dhe mbi të gjitha vendimi që kemi marrë për ndryshime në administrim, i ka dhënë rezultatet e veta, sepse kompanitë e sigurimit fizik që kanë qenë të angazhuara në cilësinë e administruesve fizik të testit kanë kontribuar jashtëzakonisht shumë. Kemi pasur shumë pak tentime të maturantëve për të manipuluar Testin e Maturës”, theksoi ai.
Megjithatë, Mustafa theksoi se në një ndërmarrje siç është Testi i Maturës për 46 mijë maturantë, është e natyrshme që mund të paraqiten edhe dobësi, por tha se fatmirësisht këto dobësi janë në një përqindje të vogël dhe nuk e deformojnë procesin.
Mustafa përmendi disa mangësi të vogla të evidentuara, siq janë: vonesat e vogla në disa qendra të testimit.
Ai tha se janë vetëm 8 qendra ku testi ka filluar me vonesë për arsye se kompanitë e sigurimeve i kanë ngatërruar adresat e shkollave dhe nuk kanë arritur me kohë në ato qendra.
Zv/ministri Mustafa falënderoi KALLXO.com, e cila ka monitoruar dhjetëra qendra të testimit dhe si rezultat i raportimeve të tyre, është arritur të evidentohen rastet e keqpërdorimeve, siç është përdorimi i telefonave mobil. Ai po ashtu ka falënderuar stafin e universiteteve publike, zyrtarët komunalë dhe të MAShT, kompanitë e sigurimit fizik të angazhuara, Policinë e Kosovës si dhe mediat për raportimin e tyre shumë korrekt dhe në funksion të mbarëvajtjes së testit