E premte, 1 Gusht 2014
Pjesëmarrja në Brazil 2014, por mbi të gjitha aktivizimi titullar me Gjermaninë në eventin më të rëndësishëm sportiv të vitit, i ka rritur shumë kuotat e Shkodran Mustafit në trego. 22-vjeçari nga Gostivari, që u bë shqiptari i parë në histori që ngre lart Kupën e Botës tashmë kushton 15 milionë euro.
Presidenti i Sampdorias, Massimo Ferrero, e konsideron pjesë të projektit të skuadrës tij, por nuk do të hezitonte për ta shitur nëse i vjen oferta e duhur. Numri 1 i klubit të Serisë A është shprehur se për 15 milionë euro është gati ta lejojë largimin e Mustafit, pasi më këtë shumë mund të blejë 10 futbollistë të tjerë, që shumë shpejt mund të arrijnë nivelin e kampionit të botës.
Kjo deklaratë e Ferreros është referencë për klubet evropiane, kryesisht gjermane, që synojnë shërbimet e futbollistit, i cili e ka shprehur hapur dëshirën për të qenë pjesë e Bundesligës në të ardhmen. Mustafi është formuar në akademinë e Hamburgut në Gjermani, ndërsa në vitin 2009 kartoni i tij u ble nga Everton. Në 2012, pasi nuk gjeti hapësira në formacionin e parë të klubit anglez, u transferua te Sampdoria. Rritja profesionale e Mustafit në Serinë A nxitën interesimin e Federatës Shqiptare të Futbollit për ta veshur futbollistin kuqezi, por në fund ai vendosi të përfaqësonte Gjermaninë, përfaqësuese me të cilën e fitoi Botërorin, madje si protagonist./rtk/
Etiketa: Shkodran Mustafi