NATO-ja nuk ndihmon në krijimin e ushtrisë së Kosovës


E hënë, 24 Shkurt 2014

Bruksel, 24 shkurt – Diplomatët në NATO i quajnë paralajmërimet për krijimin e ndonjë ushtrie të Kosovës si një retorikë parazgjedhore për konsum të brendshëm në Kosovë dhe besojnë se „autoritetet kosovare“ do t’u përmbahen premtimeve se nuk do të bëjnë asnjë hap rreth FSK-së pa u konsultuar me NATO-n, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në të njëjtën kohë, disa shtete janë duke menduar se si ta avancojnë FSK-në dhe thonë se retorika parazgjedhore në Kosovë mund t’i dëmtojë këto përpjekje.

Tash kur në Kosovë është hapur debati për ndryshimin e FSK-së dhe për shndërrimin e saj në një formacion që do të quhej Forcat e Armatosura të Kosovës, në NATO dëshirojnë të besojnë se edhe kjo është vetëm një retorikë parazgjedhore dhe rikujtojnë se për çfarëdo ndryshimi në mandatin e NATO-s dhe në rolin e raporteve me FSK-në do të duhej të miratohej me unanimitet vendimi në Këshillin e NATO-s.

E për një vendim me të cilin do të përkrahej krijimi i Ushtrisë së Kosovës në NATO nuk ka gjasa në kohën kur disa shtete, jo vetëm ato që nuk e kanë njohur Kosovën, por edhe disa që e kanë njohur, nuk do të ishin në favor të një hapi të tillë.

Përderisa zyrtarët e NATO-s nuk flasin shumë për këtë, diplomatët nga shtetet anëtare janë të interesuar të shohin se kah do të shkojnë hapat e ardhshëm rreth FSK-së. Por askush në këtë moment nuk e sheh mundësinë që, më ndihmën e NATO-s, FSK-ja të shndërrohet në ushtri. /Koha Ditore/

Etiketa: , ,
Të fundit