E martë, 15 Shtator 2015
Tiranë – Pak javë para ndeshjes së futbollit mes Shqipërisë dhe Serbisë, FSHF-ja deklaron se ka marrë masa të forta sigurie për kontrollin e shitjes së biletave.
Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku, ka deklaruar për “Top Channel” se kontrolli i shitjes së biletave do të kryhet në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe organe të tjera të specializuara.
“Shitja e biletave do të bëhet në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, me organe shumë të specializuara, kështu që mendoj se gjatë kësaj jave do të fillojë shitja e tyre në internet. Në të njëjtën kohë do të fillojë edhe shitja e biletave për institucionet zyrtare e kështu me radhë”, ka thënë Shulku.
Sipas tij, kërkesat për bileta janë tri herë më të larta se kapaciteti i stadiumit “Elbasan Arena”. “Masat do të jenë shumë të rrepta për këtë ndeshje – shpjegoi numri dy i federatës -. Kundër Portugalisë stadiumi ishte i monitoruar plotësisht. Këtë radhë, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, kontrolli do të jetë shumë më i rreptë. Ne do të kërkojmë që në stadium të vijnë tifozë, të cilët do të jenë aty vetëm për të përkrahur kombëtaren shqiptare. Kjo për shkak se një rezultat pozitiv në atë ndeshje, duke pritur edhe rezultatin e takimit mes Portugalisë dhe Danimarkës, do të mund të na çonte drejt ëndrrës së shumëpritur. Meqë më dhatë rastin, do të bëja edhe një thirrje për të gjithë tifozët që do të jenë të pranishëm në atë ndeshje. Ne kemi parësore rezultatin e ekipit kombëtar, kërkojmë prej tyre qytetari e t’i tregojmë botës se ne dimë të bëjmë tifozëri, ndeshje ‘fair play’ dhe dimë të marrim rezultate pozitive. Kjo është kërkesa ndaj të gjithë atyre që do të jenë të pranishëm në stadium: t’i shërbejnë kësaj ëndrre që e kemi pasur prej shumë vitesh”.