Ndërron jetë astronauti i fundit që shkeli në hënë


E martë, 17 Janar 2017

Houston – Në moshën 82 vjeçare ndërroi jetë astrounauti i fundit amerikan Gene Cernan, që shkeli në hënë, raporton Anadolu Agency.

Përmes një deklarate, Administrata Amerikane e Aeronautikës dhe Hapësirës (NASA) ka theksuar se astronauti i pensionuar Gene Cernan ka ndërruar jetë në një spital në Houston të SHBA-ve, duke shprehur po ashtu pikëllimin për vdekjen e tij.

“Cernan, i cili edhe krahas moshës 82-vjeçe nuk e humbi pasionin për eksplorimin e hapësirës, i motivoi liderët e vendit dhe të rinjtë që ai të mos ngelet njeriu i fundit që ka ecur në hënë”, thuhet më tej në deklaratën e NASA-s.

I lindur në vitin 1934, Cernan ishte astronauti i dymbëdhjetë dhe i fundit që ka shkelur në hënë, konkretisht më 12 dhjetor të vitit 1972 në kuadër të misionit të NASA-s Apollo 17.

Para largimit nga hëna, Cernan ka thënë: “Po kthehemi ashtu siç erdhëm dhe shpresoj se po kthehemi me paqe dhe shpresë për gjithë njerëzimin”.

Në sipërfaqen e hënës Cernan kishte vizatuar me gisht inicialet e fëmijës së tij të vetëm. Ndërkaq, gjurmët e këmbëve të tij edhe pas 44 viteve gjenden në sipërfaqen hënore për shkak të mungesës së atmosferës dhe faktorëve që do të fshinin gjurmët e këmbëve të tij.

Në dokumentarin “Njeriu i fundit në hënë” që rrëfen tregimin e astronautit, në lidhje me përvojën në hënë Cernan tha: “Para largimit, ishte tejet vështirë të ngjitesha në shkallët e sondës kozmike, sepse nuk doja të kthehesha prapa. Dëshiroja të qëndroj edhe pak. Mbase ishte çasti më i ndritshëm i jetës sime. Siç e dini, në jetë ka çaste që doni t’i ndaloni por nuk mundeni. Dëshiroja ta ndaloj atë çast dhe ta marr me vete”.

Ndërkaq, në vitin 2011 në Kongresin Amerikan, Cernan tha se: “Neil Armstrong, njeriu i parë që shkeli në hënë i cili ndërroi jetë në vitin 2012 dhe unë nuk do të mund t’i shohim amerikanët e rinj të cilët do të ecin në hënë. Çka nëse ata që do të ecin në hënë tani e tutje nuk do të jenë amerikanë? Zoti ju ndihmoftë”.

Cernan u nda nga jeta gjashtë javë pas astronautit John Glenn, astronautit të parë amerikan që ka përshkuar orbitën e tokës. Cernan, para Apollo 17 dy herë kishte shkuar në hapësirë, edhe atë në vitin 1966 dhe 1969.

I diplomuar në departamentin e inxhinierisë elektrike në Universitetin Purdue në Indiana, Cernan konsiderohej në mesin e oficerëve të talentuar në ushtrinë amerikane.

Më 1963 ai mori pjesë në ekipin e tretë të astronautëve të NASA-s të zgjedhur për të shkuar në hapësirë.

Ai u pensionua nga NASA në vitin 1976, kurse më pas filloi të punojë në sektorin privat. Për një kohë të gjatë, Cernan bëri komentime për tema të ndryshme në televizionet amerikane.

Që nga viti 1972 nuk është realizuar asnjë fluturim me njerëz drejt hënës, ndërkohë që Rusia kishte paralajmëruar se planifikon të realizojë fluturim me njerëz në hënë në vitin 2029.

Etiketa: