Ndotja e mjedisit me mbeturina frenon përpjekjet për zhvillimin e turizmit


E premte, 30 Prill 2021

Autor: EC MA NDRYSHE

Komunat në Kosovë aktualisht përballen me mjaft sfida në aspektin e menaxhimit të mbeturinave. Ndërkohë, prania e deponive ilegale po vështirëson edhe më shumë përpjekjet e tyre për zhvillimin ekonomik, përkatësisht zgjerimin e ofertës turistike.

Gjatë një aktiviteti për prezantimin e një destinacioni të ri turistik, kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka ka vënë në pah ndikimin negativ që kanë deponitë ilegale me mbeturina në përpjekjet për zhvillimin e turizmit në këtë komunë.

“Të dalësh në natyrë dhe të ballafaqohesh me mbeturina nuk është e mirë”, thotë ai, duke e quajtur të papranueshme që gjithkah në natyrë të shihen mbeturina. Përhapja e deponive ilegale me mbeturina, sipas tij, jo vetëm që dëmton imazhin e këtij qyteti, por edhe komunitetet lokale, ngase ka efekt negativ për vendet rurale ku ka plane lokale për zhvillimin e turizmit.

Sipas tij, 98 për qind të amvisërive si dhe të gjitha fshatrat e kësaj komune janë të përfshira në shërbimin për mbledhjen e mbeturinave, ndërkohë që organizohen edhe aksione të kohëpaskohshme të pastrimit vullnetar. “Por prapë, po krijohen deponi të tilla”, thotë Haskuka.

Ai i ka bërë thirrje qytetarëve që ta ruajnë mjedisin, dhe çdo rast të hedhjes ilegale të mbeturinave ta raportojnë te organet shtetërore në mënyrë që ndotësit të gjobiten dhe të rritet ndërgjegjësimi për kujdesin ndaj natyrës.

Shqetësimet për hedhjen ilegale të mbeturinave janë shprehur edhe nga kryetarë tjerë të komunave të rajonit të Prizrenit. Sipas vlerësimit të tyre një gjë e tillë po ka ndikim negativ në mjedis dhe në shëndetin e vet qytetarëve.

Studimi mbi kënaqshmërinë e turistëve në Prizren i publikuar nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren në dhjetor të vitit 2019, tregon se shumica e komenteve negative të vizitorëve janë ndërlidhur me mungesën e pastërtisë dhe ndikimin negativ të saj në ambientin e qytetit.
Ata janë ankuar edhe për mbeturinat në natyrë si dhe sasinë e mbeturinave në rrugë dhe në lum. Në këtë hulumtim, krahasuar me komponentët tjera, menaxhimi mjedisor nuk është renditur lartë nga turistët, përderisa monumentet e trashëgimisë kulturore, mikpritja, atmosfera lokale dhe natyra kanë qenë disa nga faktorët kryesorë që kanë ndikuar në kënaqësinë e përgjithshme të vizitorëve.

Në anën tjetër sikurse për turizmin që nevojitet një mjedis i pastër e atraktiv, edhe mjedisi ka nevojë që të mbrohet me masa efektive nga rritja e turizmit. Kjo ngase hulumtime të ndryshme ndërkombëtare kanë gjetur se turizmi ndikon në mjedisin e çdo destinacioni, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo në mënyrë të tërthortë. Ndikimi socio-ekonomik i turizmit është i jashtëzakonshëm në qytete, por në të njëjtën kohë sjell një sërë ndikimesh negative, duke përfshirë nivele të larta të konsumit të burimeve të paqëndrueshme si dhe prodhimit të mbeturinave.

Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës në Raportin e Treguesve Mjedisor 2020 ka përfshirë
treguesit mjedisor të turizmit, ku gjithashtu theksohet se turizmi ka rëndësi të madhe në zhvillimin ekonomik dhe atë kulturor, por që zhvillimi i tij ka ndikim negativ në mjedis e në veçanti në ekosistemet natyrore, si rezultat i hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave, dëmtimit të resurseve natyrore dhe biodiversitetit. AMMK konsideron se me qëllim të zvogëlimit të këtij ndikimi krahas aspektit ekonomik, turizmi duhet ti kushtojë vëmendje edhe mbrojtjes së mjedisit.

Të dhënat në raportin e AMMK-së tregojnë se nga viti në vit ka pasur rritje të numrit të turistëve dhe netëve të qëndrimit të tyre, ku në vitin 2019, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës janë regjistruar rreth 177.358 turistë të jashtëm, dhe 109,725 vizitorë vendorë, dhe krahasuar me vitin 2010, numri i turistëve të jashtëm dhe vendor, është pesëfishuar. Në këtë raport, pohohet se edhe parqet Kombëtare të Kosovës “Sharri” dhe “Bjeshkët e Nemuna”, janë ndër zonat më atraktive turistike dhe destinacione të preferuara për vizitorë të jashtëm dhe të brendshëm, por se në mungesë të zyrave të informimit në Parqe Kombëtare, ende nuk ka të dhëna të plota për numrin e përgjithshëm të turistëve që i kanë vizituar ato gjatë një viti apo gjatë një sezone. Megjithëkëtë një vlerësim i përafërt i raportit thekson se numri vjetor i turistëve që kanë vizituar Parkun Kombëtarë “Bjeshkët e Nemuna” në vitin 2019 ishte rreth 22 mijë, ndërsa i atyre që kanë vizituar Parkun Kombëtarë “Sharri”, ishte rreth 16 mijë, përkatësisht 36 vizitorë/1 km2 në Parkun Kombëtarë “Bjeshkët e Nemuna” dhe 31 vizitorë/1 km2 në Parkun Kombëtarë “Sharri”.

Në përgjithësi, ndikimi i turizmit në mjedis varet nga shkalla dhe lloji i aktivitetit turistik. Turisti individual zakonisht ka pak ndikim. Mirëpo sfidat shtohen kur rritet numri i turistëve ose kur ndryshon përdorimi i burimeve. Pra, turizmi është një burim i rëndësishëm i të ardhurave, por duhet pasur kujdes që zhvillimi i tij mos të shoqërohet me probleme serioze.

Prandaj, komunat duhet të gjejnë mënyra për përballje sa më efektive me këto sfida shtesë. Politik bërësit duhet t’u përgjigjen këtyre sfidave dhe të zhvillojnë strategji që synojnë zvogëlimin e sasisë së prodhimit të mbetjeve komunale dhe të mbështesin më tej ri-përdorimin, riciklimin, grumbullimin dhe asgjësimin e mbeturinave, në mënyrë që ato mos të paraqesin pengesë për zhvillimin socio-ekonomik të qyteteve, sidomos atyre turistike. Edhe hisedarët tjerë përkatës në industrinë e turizmit duhet të sigurojnë që mjedisi të mbrohet, në mënyrë që vlerat natyrore të barten tek gjeneratat e ardhshme. Ndërkohë edhe secili individ duhet të shtojë kujdesin për ruajtjen e bukurisë dhe shëndetit të vendeve turistike që i viziton, duke marrë masa për zvogëlimin e sasisë së mbeturinave të cilat i krijon dhe të praktikojë asgjësimin e duhur të tyre.

Ky artikull është shkruar nga EC Ma Ndryshe.
*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.

Etiketa:
Të fundit